Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta hodhi poshtë tezën se po të mos ishte ai dhe Sali Berisha në koalicionin “Bashkë fitojmë”, do të kishte më shumë pjesëmarrës në zgjedhje.
Në një intervistën me gazetaren Merita Hakljan ai tha se edhe kjo është një tezë që ushqehet nga Rama për të fshehur faktet e shkatërrimit të procesit zgjedhor.
“Kjo tezë ushqehet nga Edi Rama për të fshehur faktet publike të shkatërrimit të procesit zgjedhor. Janë votues që mund të votojnë për alternativa të tjera që ekzistojnë. Askush nuk e pengon një iniciativë të re politike, por asgjë nuk ndryshon thelbin asaj që ka ndodhur operacion kriminal shtetëror nga fillimi në fund duke përfshirë gjithçka kundër opozitës dhe votuesve të saj.
I gjithë qëllimi i Ramës ka qenë asgjësimi i opozitës. Përpjekjet për të shmangur përgjegjësitë e tij te tezat; jo ishte ky apo ai, janë përpjekje për të manipuluar një pjesë të opinionit, se dihet që Rama ka tmerr edhe një deputet të vetëm opozitar të vërtetë në parlament dhe mezi pret të ketë vetëm kukulla që i trajton si marioneta”, tha ai.