Ujë me tubacion nga Gjirokastra në Pulia, Edi Rama i jep fshehtas ‘miratimin’ Italisë

Qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile ujësjellësit që do të lidhë Gjirokastrën me Galugnanon, në Salento të Italisë.

Të paktën kështu ka bërë me dije presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano, gjatë një konference për media.

Ai ka theksuar se, Shqipëria hedh një sasi të madhe uji të mirë në det dhe padyshim ka interes të paguhet për ujin.

“Ne kemi interes ta marrim sepse për ne uji do të thotë t’i japim një model të ri bujqësisë, të bëjmë turizmin të rritet dhe t’u japim një të ardhme të gjithë banorëve”, tha ai.Për të ndërtuar infrastrukturën do të duheshin katër vjet punë dhe një miliard burime, për t’u financuar nga BEI, BERZH, shteti italian, rajoni dhe burimet e veta të ujësjellësit rajonal.

Qëllimi është që çdo vit të transportohen 150 milionë metër kub ujë në Pulia.

Për Pulian është një infrastrukturë strategjike, duke pasur parasysh thatësirën që ka karakterizuar vitet e fundit.

Por, Shqipëria do të kishte edhe një kthim ekonomik, duke qenë se do të hapeshin rreth 8 mijë vende të reja pune direkte dhe indirekte.

Propozimi u dha fillimisht në vitin 2022 nga presidenti i Confindustria Puglia dhe Bari-Bat, Sergio Fontana.

“Këtu në Pulia, ne kemi aftësitë për të qenë një pikë referimi kombëtare për politikën e ujit. Kemi Ujësjellësin Pulian, më të madhin në Evropë, stacionin e parë kontraktues në Pulia. Të bashkuar buzë detit Adriatik kemi përballë Shqipërinë, një vend shumë i pasur me ujë”.

Ai asokohe shtoi se, “kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme të ngushta me Shqipërinë”.

“Ne kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit, në mënyrë proaktive. Ne mund t’i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz: të ndërtojmë një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Pulias dhe Shqipërisë”.

Ideja që dikur iu propozua ish-kryeministrit Fatos Nano për të çuar me tubacione në jug të Italisë burimin e “Syrit të Kaltër” të Delvinës, tashmë është duket më konkrete.

Latest articles

Related articles