Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po konfirmon dita ditës se improvizon në politikë të brendshme dhe të jashtme.
Ai ndërmori një akt të ligjshëm të shtrirjes së ligjshmërisë në 4 komunat, me mazhorancë serbe, në veri të Mitrovicës, pa u koordinuar me KFOR, SHBA, BE dhe Britaninë e madhe.
Njoftimi faktik i qeverisë së Kosovës se nesër do të shkojnë në punë 4 kryetarë të komunave shoqëruar me forcat speciale të Policisë nuk është koordinim. Është krijimi i situatës faktike. Logjikë sovjetike.
Fjala koordinim do të thotë bashkërëndim me autoritetet ndërkombëtare që janë garanci për sigurinë fizike e jetike të qytetarëve të Kosovës dhe jo sjellje ngrehaluce, me dobiçin në dorë, “iu thamë ne”.
Albin Kurti me militantët e VV dhe marksistët në Tiranë mund të duan të krijojnë situata që ulin reputacionin e SHBA në rajon, por nuk kanë forcë mbrojtje ndaj makinerisë dhunuese serbe. As ushtria e Kosovës nuk mund të jetë garanci pa ndihmën e SHBA, BE dhe MB.
Nuk është e vetmjaftueshme ushtria e Zelensky në Ukrainë, me 700 mijë trupa, pa ndihmën e NATO – dhe jo më 10 mijë trupat e FSK.
Dhe këtu lidhet edhe reagimi i sekretarit shtetit të SHBA Blinken për moskoordinmin, përderisa NATO është e përqendruar në konfliktin e Ukrainës dhe të gjitha resurset janë për këtë nevojë STRATEGJIKE.
Hapja e një konflikti potencial më afër Europës do të devijonte vëmendjen dhe resurset strategjike. Do të binte fabula e perëndimit për mbështetjen e demokracive kundër autoritarëve. Kjo është e pafalshme dhe i jep oksigjen retorikës antishqiptare në kancelaritë e Europës (Spanjë, Greqi, etj).
Albin Kurti me keqqeverisjen e tij po dëmton interesat strategjike të aleatëve më të mirë të Kombit shqiptar dhe kjo mund të ketë pasoja afatgjata.