Pse hesht Akademia e Shkencave për Revoltën e Spaçit?

Nga Ergys Mërtiri, sociolog
Keqardhja është pak të thuhet kur shikon se, në 50 vjetorin e revoltës së Spaçit, institucionet studimore nuk e gjetën të arsyeshme të bëjnë asnjë aktivitet, apo qoftë edhe dy rreshta mesazh në faqet e tyre zyrtare. Si Akademia e Shkencave ashtu edhe Instituti i Studimeve Albanologjike e lanë totalisht në heshtje këtë ngjarje, duke treguar se historiografia shqiptare, nuk ngrihet dot në nivelin minimal të ndërgjegjësimit për të vlerësuar drejt dhe pa imlikime përkatësish ideo-politike të shkuarën e vendit. Madje nuk denjuan ta bëjnë këtë as formalisht, sa për sy e faqe.
Po kështu, e njëjta gjë ndodh edhe me mediat. Agjensia Telegrafike Shqiptare kishte 5 tituj për javën kulturore greke dhe vetëm një lajm me 5 reshta për Revoltën e Spaçit. Natyrisht, kur institucionet mbulojnë me harresë ngjarje të rëndësishme historike, përse të mos e bëjnë këtë institucione të medias?
Kjo ndodh në një kohë kur këto institucione shfaqen aktivë për të mbrojtur e promovuar aspekte problematike të së shkuarës, sidomos atë që lidhet me komunizmin. Pak kohë më parë, Akademia e Shkencave u angazhua të ofrojë një produkt, nëpërmjet të cilit ajo pretendonte të rishikonte historinë dhe, gjëja e parë që iu paraqit publikut ishte zbulimi i një dokumenti që, sipas Paskal Milos, dëshmonte kompromentimin e Mit’hat Frashërit, për faktin se paskësh takuar Napoleon Zervën. Historiografia shqiptare duket më shumë si një organizatë e përfshirë në një angazhim guerril antiballist që vijon si zgjjatim i luftës civile të nisur në 1943-shin, sesa si një institucion shkencor.
Në fakt, keqdashësia koordinohet mire me paaftësinë. Historianë të huaj kanë theksuar herë pas here ideologjizimin dhe banalitetin e studimeve historike në Shqipëri, duke përmendur faktin se historianët shqiptarë janë thuajse inekzistentë në konferencat apo botimet historike ndërkombëtare. Ata flasin për paaftësinë e tyre për tu përditësuar me prurje të reja të mendimit historik, duke mbetur të ideologjizuar në kornizat e historiografisë komuniste.
Oliver Schmitt vuri ne dukje kohë më parë se në Shqipëri pengohet qëllimisht zbardhja e të vërtetave dhe hulumtimi mbi trashegiminë komuniste. Edhe ata pak zëra kritikë që përpiqen të hedhin teza diskutimi në këtë fushë, mbyten nga historianë të kësaj kategorie, të cilët reagojnë madje edhe në mënyrë agresive kundër çdo mendimi që del nga korrniza e tyre. Sipas tij, institutet, universitetet janë të varfër dhe nuk prodhojne dije mbi këtë fushë, madje edhe me keq, në mjaft raste prodhojnë teza që synojnë të justifikojnë apo edhe glorifikojnë të kaluarën e vendit.
E megjithatë edhe kur vullneti i mirë ekziston, e kaluara komuniste trajtohet kryesisht nëpërmjet klisheve tashmë të ezauruara që nuk sjellin ndonjë efekt në debatin publik. Krimet dhe problemet e trashëgimisë komuniste trajtohen përgjithësisht në mënyrë emocoinale ose thjesht kronikale, pa u thelluar në studime mbështetëse, siç janë ato mbi totalitarizmin, të zhvilluara që herët tashmë në botën akademike ndërkombëtare. Për pasojë, sot nuk gjen përmbledhje studimore serioze të shqyrtuara nën dritën e teorive të studimeve totalitare mbi Revoltën e Spaçit, ashtu si për çdo dukuri tjetër të atij regjimi. Ajo është trajtuar ose thjesht si kronikë nga historianë të ndryshëm ose si memuaristikë nga protagonistë të ngjarjes ose si një legjendë me nota epike nga intelektualë të ndryshëm.
Në fakt kjo ngjarje ka shumë për të na folur, jo vetëm mbi viktimat, terrorin, dhe efektin e tyre në shoqëri, por edhe mbi vetë natyrën e regjimit si dhe marrëdhënien që ai krijon me ata që i sundon. Politologjia, sociologjia, psikologjia, jurisprudenca, etj, kanë shumë për të trajtuar në këtë ngjarje, ashtu si mbi shumë të tjera të kësaj periudhe, duke e marrë në analizë fenomenin në kompleksitetin e vet dhe duke e sjellë atë si një burim të madh reflektimi për të kuptuar shumë nga problemet e të sotmes. Duhet që institucionet studimore të bëjnë punën e tyre, të zgjerojnë horizontin me prurjet e nevojshme teorike për të bërë të mundur zbardhjen e së shkuarës dhe trajtimin e saj me seriozitetin e duhur.

Latest articles

Related articles