Andi Bushati, Blendi Kajsiu dhe sedra e PD

Humbja shkatërrimtare e opozitës dhe gjithashtu PD ka risjellë edhe një herë në vëmendje një temë tejet të rrahur në publik dhe nga mediat në lidhje me opozitën dhe veprimet e saj. Kësaj radhe, temës i janë shtuar dhe beteja e ashpër deri në një konflikt fizik mes dy kampeve në Partinë Demokratike; kampit të Foltores dhe asaj të PD-së zyrtare.

Me të drejtë, pasi sfera e mendimit publik nuk e pengon, shumë analistë dhe opinionistë në median e shkruar online kanë artikuluar qasjet e tyre ndaj situatës së opozitës.

Dikush mund të kërkojë me ngulm dhe pasion një revolucion pasi vetëm kështu mund të mposhtet Edi Rama, një tjetër kërkon që të shporret një herë e mirë Berisha dhe berishizmit pasi kështu ka alternativë por ka dhe një të tretë që kërkon të përvijohet me akuza dhe të mos kritikohen “të vjedhurit” e përhershëm Berisha-Meta.

Kjo bisedë me sa duket do jetë dhe refreni i radhës deri në zgjedhjet e ardhshme.

Natyrisht Partisë Demokratike, Foltores dhe kujtdo tjetër do t’i kërkohet revolucioni (nga ata që pastaj shkojnë e votojnë kandidatin më të majtë të mundshëm) dhe në fund të gjithë shkojmë të dëshpëruar në shtëpi.

Fatkeqësia e Partisë Demokratike që prej vitit 2013 ka qenë se kurrë nuk ka dashur të shohë realitetin e një force politike të mplakur në ide dhe imazh. Nëse në botën perëndimore ke të reja dhe të rinj që kërkojnë votën e moshës së tretë, në Shqipëri dhe veçanërisht në PD ndodh iluzioni që një i vjetër do të merrte votën e rinisë. Stiv Gjopsi i Viçidolit.

Një tjetër problem, që rëndom analistët që flasin ndryshe dhe votojnë po aq ndryshe, është se PD-së i ka munguar vullneti për t’u ristrukturuar dhe riorganizuar.

Fatkeqësisht këto procese kanë qenë fiktive, madje dhe procesi i primareve dhe riorganizimit të Foltores ishte në të njëjtën gjatësi vale fiktive.

Prandaj, detyra parësore e një force politike që është e shkatërruar nga lufta civile dhe e demoralizuar nga lufta e humbur me Ramën do duhet të jetë riorganizimi. PD duhet të hapë dritaret dhe të ajroset. Të pastrohet me shtupë nga korrupsioni e oligarkët. Të lidhë telat me qytetarët. Të jetë në treg.

Mirëpo, këtë proces natyrisht që e pengojnë karremat edhe kurthet e diskursit imagjinar me revolucione.

Sedra e demokratëve ka qenë e stisur dhe e trajtuar për t’iu përgjigjur humbjes së zgjedhjeve përmes formulës së “vjedhjes, blerjes” pa u trazuar hiç të kuptojë se çfarë ka shkuar keq në historinë e saj elektorale. Ky proces ka deformuar qëllimisht mendimin e demokratëve që tani u duket se më fort duhet të gërthasin se “zgjedhjet janë vjedhur” se sa të kuptojnë përse kanë humbur.

Ka plot demokratë, që për fatin e keq, kanë besuar tek Sali Berisha dhe revolucionet e tij.

Ka shumë nga këta demokratë që një njeri që del dhe ulëret për 640 mijë zarfe me lekë nuk e honepsin dot më pasi është aq i skaduar saqë nuk di më as të prodhojë një fabul koherente.

Por, fatkeqësisht janë këta opinionistë që kontribuan në “luftën civile” të demokratëve për t’u thelluar pasi mendonin që Sali Berisha i çon revolucionet deri në fund kurse Lulzim Basha jo. Tani, që kanë kuptuar që revolucionit i mbaroi karburanti veprojnë njësoj si përherë.

Dalin nga treni i Leninit dhe nisin edhe thërrasin se sa gabim e kishte Lenini.

Kjo, nuk do të thotë aspak që mendimtarët publikë të mos flasin për PD. Përkundrazi, sa më shumë që flasin aq më mirë bëhet. Por, duhet të vëmë në dukje të demokratëve që demagogët që deri dje thërrisnin me pengje nga dritaret e mediave, duhet të jenë më koherentë në sofizmat e tyre. Ka ardhur momenti që edhe atyre t’u indeksohet fjala me inflacionin e lartë që kanë në mediat publike. Pasi, secili e ka një çmim apo thënë më mirë; edhe fjala e tepërt inflacionohet apo indeksohet me inflacionin.

Latest articles

Related articles