Ajo që vazhdon të ndodhë në PD është një krizë e mirfilltë identiteti

spot_img

EPITAF

Kufijtë e memories historike shqiptare nuk duken kund në mes të relativizmit politik, që mbretëron sovran në shkretëtirën e Gobit që la pas komunizmi. E megjithatë, zëra sporadikë, ngrihen herë pas here në mbrojtje të dickaje për llogari të dikujt. E gjitha ne funksion të relativizmit total, nga i cili nuk shpëton as e vërteta.
Kjo sjell kakofoninë e absurdit që ushqen thjesht urrejtjen e verber të turmës. Urrejtje të cilën prestigjatore të thekur, e përdorin si armë, duke shënjestruar objektivin e radhes, në përpjekje të dëshpëruara për të veshur me moral të keqen.
Në sensin etimologjik, morali është një tërësi rregullash të pranuara universalisht nga individet që ndërtojnë shoqërinë. Pra konsiderohet si kostum që vesh lakuriqësinë e instikteve natyrale të njeriut, e kjo e dallon nga kafsha, por jo gjithmonë.
Ky është realiteti dëshpërues në të cilin vërtitet fantazma e së vërtetës, që sheh e pafuqishme mashtrimin, të maskuar si kontrofigurë e saj. Ndërkohë që zbukurohet me copëza të vërtete, me të cilat mundohet të mbulojë plagët e zgjebjes mendore nga e cila mashtrimi përbëhet.
Rruga për në Ferr, është gjithmonë e shtruar nga më të mirat qëllime. Zellin më të madh në këtë cështje e tregojnë politikanët, të cilët nuk kursejnë e nuk kursehen në premtime, kur bëhet fjalë për ruajtjen e garantimit të pushtetit që tashmë e konsiderojnë domenin e tyre eskluziv.
Politika është pjesmarrje. Ajo shqiptare është sundim. Ka shumë pak rëndësi, nëse do të sundosh nëpërmjet pushtetit direkt, apo nga komoditeti i të qënit në opozitë. I rëndësishëm është sundimi, i cili ka aftësinë e konvergjencës së interesave të përbashkët që lidhin aktorët e politikës. Të kësaj politike që tashmë e ka zhveshur moralin ashtu sic bën gjarpëri me lëkurën e vjetër.
Braktisja e moralit është relativisht e turpshme për vdektarët e zakonshëm, ndërkohë që është kthyer në imperativ absolut për politikanët, që e shohin si harac për tu paguar në këmbim të privilegjeve e dominimit mbi fatet e jetët e të tjerëve. Shumica e tyre, prej kohësh ka kaluar kufijtë e dëshpërimit duke ju dorëzuar mllefit të verbër ndaj kujtdo që identifikon si shkaktar i të keqes së tij.
Asgjë nuk egziston jashtë nesh. Të gjitha pyetjet e pergjigjet për sa ndodh e na rrethon, i kemi brënda vehtes. Por ajo që na mungon është kurajo për tu përballur me të vërtetën.
Në cdo kohë e vërteta ka qënë një shoqë udhe e rrezikshme. Një mysafire e pa dëshiruar, e që paraqitet lakuriq, pasi nuk sjell me vehte asgjë përpos vetëdijes. E vërteta nuk ka dhurata për të shpërndarë, e pretendon që ta kërkosh vetëm për atë që është. E vërteta nuk bën skonto për askënd. Ndaj dhe politikanët i ruhen si Djalli temjanit. E kjo bëhet më e spikatur në kohra krizash.
Ajo që vazhdon të ndodhë në PD është një krizë e mirfilltë identiteti, nga e cila nuk mund të shpëtojnë pjesa derrmuese e grupit të saj drejtues. Si pasojë e të qënit parti personale e liderit, politikat e konsolidimit të këtij vizioni, sollën pashmangshmërisht në kryesinë e saj analfabetë politik që nuk flasin, nuk dëgjojnë e as intersohen për ndodhitë politike, e aq më pak të prodhojnë ata vetë politikë.
Ata nuk e dinë që kosto e jetës, cmimi i fasules, të bukës, miellit, qerasë, të këpucëve e të ilaceve, varen nga vendime politike. Këta analfabetë politikë janë aq hajvanë sa krenohen e fryjnë gjoksin kur thonë se fajin e ka politika, ndërkohë që nuk arrijnë të kuptojnë se politika është produkt njerëzor që pasqyron vehten në shoqëri e anasjelltas.
Nuk e dinë këta hajvanë e hajvane, që nga injoranca e tyre politike, lind prostitucioni i tyre. Lind familja e braktisur, grabitësi, hajduti, dhe më i keqi nga të gjithë kriminelët, që është politikani i pa ndershëm, mafiozi, i korruptuari, lakeu si dashnore e pushtetit, e i pa turp e arrogant me të dobtin që shpesh është i ndershmi.
Njerëz meskinë, produkt i llogarive meskine, e që bëjnë hesape meskine, nuk mund të jenë e ardhmja, por vetëm sipari që mbyll skenën e trishtë të kësaj politike mjerane.

Gjergj Hani

Latest articles

Related articles