Pengmarrësi i opozitës, Sali Berisha, është në një krizë të thellë politike dhe vetbesimi. Njeriu më i afërt i tij gjezdis korridoreve të zyrave insituticionale dhe kërkon llogari për veten e tij se përse u poshtërua lideri i tij. ndëkrohë që aleati i Berishës, Ilir Metaj, duket se ka vetëm një shqetësim (pasi i morri këshillat bashkiakë me votat e Berishës) qëndrimin e Berishës në krye të lëvizjes anti-amerikane Foltore. Këshilltarët mediatikë të Berishës kanë degjeneruar në një grup njerëzish që nuk dinë më kë të nëmin publikisht.
Deputetët e Berishës tani shohin me kokën poshtë dhe nuk dinë se çfarë duhet të bëjnë. Ata kanë menduar se Berisha mund të mbijetojë në këtë katrahurë dhe janë vetëgënjyer nga protestat me të cilat u shpenzuan miliona për të karikuar Berishën në gënjeshtrën e madhe që ai e quajti Foltore. Mijëra orë emisione, mijëra rreshta shkrime në media dhe miliona statuse në Facebook së bashku me miliardat e komenteve që njerëzit e tij lëshuan kundër kundërshtarëve i vlejtën Berishës vetëm 5 bashki e gjysmë.
Mjerim më të madh nuk kishte parë askush as sot dhe as në vitin e largët 1997! Doktor Berisha, njeriu që solli demokracinë u poshtërua lehtësisht jo vetëm nga Edi Rama dhe 12 të deleguarit politikë në qarqe, por nga vetë demokratët. Ishin këta dhe shqiptarët që bojkotuan Berishën në Tropojë duke e kthyer Pandeli Majkon në heroin e qarkut Kukës, në të cilin Berisha fitoi vetëm bashkinë Has. Ishin demokratë e Shqiptarë që shkatërruan me bojkot bashkinë e SHkodrës ku Bardh Spahia ndiqte fije e për pe udhëzimet e tarafit familjar Berisha. Qenë të njëjtët që e poshtëruan Berishën në Kamzën e PD, ku kandidati polic i Berishës morri një goditje plebishitare.
Po përse e bojkotuan liderin e demokracisë? Ngaqë shqiptarët dhe demokratët janë lodhur nga një njeri që nuk di vetëm se të fyejë dhe poshtërojë ata që nuk mendojnë si ai. Janë gjithnjë e më të pakët ata njerëz që pranojnë të fyen nga një njeri i shpallur nongrata që nuk ofron asnjë shpresë përpos se një beteje të pamoralshme kundër SHBA në emër të sovranizmit gjyqësor që ai mos të hetohet. Janë të lodhur nga gjuha e shëmtuar dhe goja plot erë nga fyerjet banale që ai dhe njerëzit e tij lëshojnë në kutërbim e sipër ndaj faktorit ndërkombëtar.
Janë të deluzionuar nga mashtrimet e mëdha që kanë dëgjuar dhe lexuar ndërsa shohin degradimin e politikës shqiptare e cila risjell në skenë dy pleq të amortizuar dhe demode si shpresë për rininë. Janë të cmagjepsur nga premtimet e një njeriu që ka mbajtur vetëm një premtim këto 10 vite opozitë, të ruajë tarafin e tij të paprekshëm. Kur iu dha shansi, shqiptarët dhe demokratët e bojkotuan njëzëri pa asnjë brengë. Ia lanë në derë turpin dhe humbjen që ai të vdesë politikisht i pagnopur por i poshtëruar.
Llogaritë e tij dhe njerëzve të tij nuk e kishin menduar se kësaj radhe do jenë më shumë, edhe do jenë edhe më shumë në vijim, kur ai t’u kërkojë votën. E sheh në sytë e tij prej zullumqari që qan me lotë krokodili ndërsa përpiqet të përçajë edhe më shumë shqiptarët dhe demokratët. E dëgjon nga buzët e njollosura nongrata të familjes së tij politike e jo vetëm, që përpiqet të ulet në tavolina për të justifikuar turpin me bukë që kanë përtypur këto ditë. E dëgjon në zërin e çjerrë të minuesve të demokracisë dhe përbetimet se kësaj radhe gjërat janë ndryshe.
Shqiptarët dhe demokratët në masë i thanë jo njeriut më të pandershëm dhe imoral të politikës shqiptare. Prandaj Berisha sot është në një hall të madh dhe sa herë del nga selia e zaptuar duke gufuar gjoja shpresë, të gjithë shohin një mjeran të shkërmoqur dhe poshtëruar nga shqiptarët dhe demokratët që janë kthyer në një për ta poshtëruar edhe një herë zullumqarin që është kthyer në diktatorin e opozitës. Duke i kujtuar, se herës tjetër (nëse do jetë nevoja) do sillen edhe më keq me të dhe tarafin e tij.