Deputetët e Sali Berishës u rreshtuan pro tij duke menduar se Berisha mundet t’i bëjë deputetë edhe në vitin 2025. Vetëm ky ka qenë synimi pse ata janë rreshtuar krah tij. Donin të shfrytëzonin Sali Berishën dhe lidhjen e tij me turmat, bizneset, tarafet.
Sot kur Sali Berisha ka humbur në mënyrë katastrofale, kur ka humbur edhe bashkitë e djathta, kur në çdo rast kandidimi i tij do të bojkotohet dhe ai do të humbë përsëri edhe më thellë, deputetët krah tij, po kuptojnë se Sali Berisha dhe “shumica” e tij e shpartalluar, nuk do të munden tu japin mandatet në vitin 2025.
Askush nuk do të votojë për Sali Berishën në vitin 2025, sepse njerëzit e dinë se Sali Berisha nuk do të përfshihet në asnjë qeveri e në asnjë koalicion qeveritar. Nëse për bashki mori kaq vota sa mori, kjo ndodhi sepse njerëzit llogaritën se kandidatët mund të bëhen kryetarë bashkie edhe pse Berisha është nongrata. Ndërsa në zgjedhjet parlamentare, njerëzit e kanë të qartë se Berisha nuk ka shanse të jetë në qeveri. I bie të votojnë vetëm për tu gjetur punë si deputetë disa të preferuarve të Berishës. Dhe vetëm kaq. Sepse ata e dinë se “deputeti nuk ka gjë në dorë”.
Pra njerëzit nuk votojnë parti e individë të cilët skanë shanse për të qenë në qeveri e për të menaxhuar interesa.
Vota për Sali Berishën do të jetë votë e djegur kot. Prandaj ska shanse të marrë vota e të prodhojë mandate. Do të marrë vetëm votat e stadiumit. Ai bërtet se ka “500 mijë vota” për tiu kujtuar deputetëve të tij se nuk duhet ta braktisin.
Mirëpo deputetët e kuptojnë se së pari votat janë edhe të Ilir Metës dhe nëse kandidohet përsëri bashkarisht, listat e deputetëve do të jenë 50% të Ilir Metës. Së dyti, deputetët e kuptojnë se votat për kandidatët për kryetar bashkie, janë diçka tjetër, nuk kanë atë rëndësi që tenton tu japë Sali Berisha, pasi ato vota nuk kanë prodhuar bashki të fituara. Duke mos prodhuar bashki të fituara nuk kanë prodhuar infrastrukturë njerëzore-politike. Nuk kanë prodhuar prestigj, frymë dhe vetëbesim.
E përveçse nuk kanë prodhuar infrastrukturë njerëzore-politike, kanë prodhuar zhgënjim dhe traumë, kjo pasi shumë njerëz nuk e kanë besuar vërtet se do të humbin në Shkodër, në Tropojë, në Vaudejs, Lezhë, Kurbin e do të humbin kudo. Humbja në thellësi të tilla është paralajmërim për më keq.
Kështu që edhe ata të cilët u mprehën për tu ri-bërë deputetë, duke u rreshtuar krah Sali Berishës dhe foltores së tij anti-Amerikë, duke menduar se do të kenë ndonjë “shumicë” me vete, sot janë të dëshpëruar, pasi kanë kuptuar se nuk kanë shanse për tu ri-bërë deputetë.
Humbja katastrofale e ka shkatërruar Sali Berishën, totalisht e në mënyrë përfundimtare. Ai nuk mundet t’i japë askujt asgjë, as mandat, as perspektivë, as projeksion. Mundet tu japë vetëm justifikime.
Në ketë gjendje, deputetët e Sali Berishës kanë dy rrugë e dy opsione:
1) Ta braktisin Sali Berishën, ta lënë vetëm dhe tia shpejtojnë fundin politik dhe të përfshihen në një skemë të re politike.
2) Të radikalizohen sa Sali Berisha, si Sali Berisha, madje edhe më shumë se Sali Berisha, me qëllim për të kapur vendin e parë në renditjen e listës së deputetëve në vitin 2025. Duke shpresuar se i pari në renditje, del deputet nga lista e “Bashkë Fitojmë” në 2025.
Sali Berisha nuk do të ketë aq shumë vota sa për tu ri-dhënë mandat këtyre që e rindjekin. Votat do t’i përgjysmohen sepse njerëzit nuk e shohin në ndonjë qeveri të ardhshme. Nëse për bashki ishin në lojë interesa për tu menaxhuar, për deputetë nuk ka sepse as nuk vjen në qeveri, as pranohet në ndonjë koalicion.
Na mbetet të shohim nëse e kanë kuptuar mirë mesazhin apo u duhet edhe një humbje tjetër më e thellë se 14 maji, për tu bindur përfundimisht.