Dorëheqja e z. Enkelejd Alibeaj nga drejtimi i PD është një akt I pastër politik dhe një risi që shkon përtej llogarive meskine me të cilat na ka mësuar politika shqiptare. Kjo lëvizje e beftë për shumicën e deputetëve të katapultuar në politikë, ka shkaktuar pështjellim, pasi janë mësuar ti nxjerrin gështenjat nga zjarri, me duart e të tjerëve.
Ndershmëria politike dhe intelektuale e kësaj dorheqjeje, shkon përtej iluzioneve apo deluzioneve që mund të kemi provuar.
Qoftë si antarë të thjeshtë të PD-së, apo pjesës dërrmuese të deputetëve të emëruar, që befas duhet të zgjedhin mes komoditetit të akuzave ndaj kokës së turkut, apo të menduarit politikisht. Gjë të cilën nuk janë në gjëndje ta bëjnë. Ky është shkaku dhe pasoja e krimit të 2008, me anë të të cilit trekëndëshi I Bermudës eliminoi garën dhe përfaqësimin, duke preferuar mbushësa topi e numratorë, në vënd të njerëzve të aftë për të menduar politikisht.
Kjo dorëheqje e ndershme, dhe për këtë arsye e pa pritur, i detyroi të dilnin nga guacka e tyre e anonimatit dhe kompromisit të heshtur me të keqen, duke i detyruar të zgjedhin.
Zgjedhje që për hir të së vërtetës nuk është hiç e lehtë. Pasi është ajo mes Shteteve të Bashkuara dhe lexhendës që po venitet. Në të vërtetë, mbijetesa e tyre politike shkon drej së pamundurës, pasi lexhenda nuk ka nevojë për ta, por për vulën që do ti jepte një farë legjitimiteti formal. Por nga ana tjetër, soji tjetër e di fort mirë që çuarja e vulës do ti vuloste përfundimisht edhe ata në sytë e Amerikës, gjë e cila do të shënonte fundin e garantuar të karrierës së tyre politike, sa të pa drejtë, po aq edhe të pa merituar.
Të them të drejtën ndjej një farë keqardhje tek I shoh që duhet të zgjedhin nëse do të vdesin politikisht bashkë me lexhendën, apo do ta zgjasin edhe pak agoninë e tyre duke u munduar të zvarriten në këmbët e atyre 103.000 demokratëve që me vullnet të lirë si kurrë më parë zgjodhën të jenë me principet themeluese të demokracisë Amerikane.
Si i thonë fjalës; Koha është një gentëllmen që ta këthen kusurin me të njëjtën monedhë që ti ke paguar të tjerët.
Gjergj Hani