“Piksimet në pasqyrat e jetës së pajetueme” – Në 120 vjetorin e lindjes së Ernest Koliqit

 

Virion GRAҪI

 – PARAFJALË

Në 120 vjetorin e lindjes së Erenest Koliqit, së pari kujtojmë se vepra e tij për më shumë se 4 dekada ishte e ndaluar në Shqipëri. Skualifikimi i E. Koliqit nga panteoni shqiptar i letrave, nuk është rast i veçuar, por grupor/klasor, si brez e si periudhë, në kuadër të botës së re komuniste që mëtonte të zhdukte botën e vjetër; skualifikimit me akuza politike, në periudhën e instalimit të pushtetit të ri popullor (siç u quajt) iu bashkuan dhe argumenta të ashtuquajtur letrarë e estetikë; nga vija leniniste e dy kulturave, u kalua në linjën staliniste të një kulture. Kundër elitës së cilës i përkiste E.Koliqi, u morën të gjitha masat e mundëshme; u morën vendime gjyqësore, u lëvrua esseistikë, u fabrikuan personazhe fiksionalë në letërsinë e re, e agazhuar politikisht. Kultura socialiste, duke e lartësuar veten mbi të gjithë trashëgiminë tonë letrare, mund ta ruante kuotën e dëshiruar duke e izoluar vendin nga kultura perëndimore, siç edhe bëri, si dhe duke përjashtuar pjesërisht ose tërësisht shkrimtarët më të çmuar të periudhës së viteve ’30, meqënëse të gjitha krahasimet propagandistike atyre viteve ju referoheshin, regjimi i ri-regjim i vjetër.

  1. Koliqi, për shkak të trashëgimisë së pasur intelektuale e krijuese, i përmbushte kriteret për të qënë në qendër të ciklonit revolucionar. Nëse zgjedhjet e tij politike ishin lehtësisht të goditëshme, ‘problem’ për ‘kulturën e re’ përbënte arti i tij, në radhë të parë proza e shkurtër, krejtësisht e pa ndotur nga rrymat politike të kohës, sublimuar në pjesën më të madhe në tekste antologjikë. Falë bukurisë së saj qartësisht artistike, brendisë së saj – krejtësisht humaniste/iluminuese, stilistikisht – novatore, moderne, plot ndjenjë, mendim, dashuri e shqetësim të thellë për njeriun shqiptar dhe etninë përkatëse, pjesë e një shoqërie problemetike, përshkruar saktë, në detaje dhe në tërësi, proza e shkurtër e E.Koliqit, mbetet e majë e lartë dhe hapësirë përjetimesh estetike, e hapur për lexime, rilexime dhe studime; brenda mundësive, këto vlera të qëndrueshme synojmë të hetojmë.

-PIKSIMET ESTETIKE

Proza e Koliqit është letërsi e bukurisë estetike. Nga kategoritë estetike, mbizotëron dramatikja. Në tregimet e tij, përherë janë dy forca kundërshtare, dy palë, njëra (zakonisht një personazh, rrëfimtari, ose autori-narrator) përpiqet ta pohojë/ta përligjë qenien e vet si ideal, si traditë, si sfidë kah kohët dhe shoqëritë e qytetëruara, moderne, e nga matanë janë ata, ‘realiteti’, numëri shumës ku hyn shoqëria me krenat e doket e saj, me mekanizmat shekullorë të rregullimit të jetës ditore e të marrdhënieve mes individëve e shtresave sociale. Pak a shumë këto nyje dramatike përsëriten dhe te Migjeni, në prozë e poezi; i gjejmë dhe në publicistikën e kohës. Te E. Koliqi dramatikja është e kristalizuar qartë, është pjesë e narrativës, është vetë tregimi, historia fiksionale, si e tillë; te Migjeni, për shembull, rrallë gjejmë një fabul të përmbushur me një seri ndodhish/veprimesh që e zbulojnë konfliktin, karakteret, problematikat; zakonisht parashtrohet një fakt i vetëm a një pamje e vetme, mandej pathosi, esklamacioni autorial duke anuar nga publiçistika e angazhuar, nga eseistika dhe jo nga letërisa artistike-tregimi fiksional  si i tillë.

Ndër nyjet dramatike të tregimeve të E. Koliqit janë ato që e shoqërojnë shoqërinë njerëzore: Njeri-shoqëri; brez i ri-brezi i vjetër; njeri-kronos/kohësi, në kuptimin e kalueshmërisë së jetës individuale, nga fëmijëria-rinia-pjekuria- mplakja; individi përballë miteve, përballë bestytnive, përballë kodeve juridiko-zakonore; përballë doktrinave e institucioneve religjioze. Krahasuar sërish me Migjenin, për shkak të ambientit të përbashkët dhe sinkronisë ku kryhen dramat e njerëzve të zakonshëm – qyteti i Shkodrës dhe Malësia e Veriut, duket epërsia/plotësia e ndjeshme e prozës së E .Koliqit; Koliqi, me një paanësi floberiane, i vizaton dhe i zhvillon situatat pa treguar tendenciozitet. Në tablot njerëzore të Koliqit, me një penelatë, me një detaj kemi një refuzim të fortë moral a etik, kemi relativizim a një pikëpyetje serioze ndaj utopisë, iluzioneve që prodhon vetja e koha. Te E. Koliqi, secili tregim e mbart dramatikën jo për meritë a faj të personzheve, jo se ata intrigojnë për arsye vetjake ose për shkak të rrethanave; te Koliqi, personazhet gjenden në zgrip të krisjeve dramatike pa shmangshëm, si pjesë e natyrshme e botës dhe kohës ku gjenden; asnjëri nga antagonistët nuk përfaqëson vetëm veten në ndeshje, në përplasje, ata ndodhen njëkohësisht në palë të kundërta, në rende të ndryshme vlerash. Lënda prej së cilës Koliqi krijon personazhet dhe ndodhitë është e tillë, siç ka përshkuar dikur Edith Durhan, ‘Një popull të cilin historia e ka hedhur nga mesjeta drejt e në shek.XIX, pa i lënë kohë as për t’u mbushur një herë të vetme me frymë.’ Pikërisht nga ky konglomerat, bashkëkohës por mishërues epokash të ndryshme historike, personazhet bien ndesh dramatikisht me njëri tjetrin si mendësi, si interes, si botëkuptim.

Ironia është po ashtu kategori estetike e pranishme në tregimet e E. Koliqit, jo në formën e ironisë sokratike, por në formën e ngjizur prej tragjedive të antikitetit, posaçërisht prej Sofokliut, si ironi tragjike e fatit njerëzor; ironi e rastësisë fatale, e fatit të paracaktuar, ose ironi rrethanash, njeriu duke komplotuar kundër vetes, me hapat që ndërmerr për t’i ikur paracaktimit, bën të përmbushet pikërisht paracaktimi. Personazhet e Koliqit, në lëvizje e sipër, për të korigjuar diçka thelbësisht identitare, për t’i shpëtuar tjetërsimit, harrimit, për të shuar një nevojë shpirtërore a zakonore, duke lëvizur në mënyrë imagjinare në kohë – rini-fëmijëri ose në hapësirat konkrete – në malësi, në kopshtijet, në banesat familjare të origjinës, pësojnë zhgënjimin e radhës, dramën e radhës, zgjimin e radhës. Krahasimisht, ndërsa Migjeni përdor groteskun, karikaturimin verbal, fejtonin, vizatimin natyralist apo anatemat mesianike për të njëjtin qerthull tematik me Kolqin, te Koliqi, ironia e hidhur e fatit njerëzor bëhet pjesë organike te prozës së tij si veprim, nëpërmjet ndodhisë, kryerjes pa kthim të ndodhisë fiksionare.

E bukura. E.Koliqi shquhet si shkrimtar peizazhesh, dallohet për peizazhet natyrore dhe për vizatimin shumëngjyrësh të vend-ngjarjejev. Në pjesët-peizazhe hasim shpesh të bukurën pamore, sikurse e kemi mbizotëruese në prozat poetike, “Pasqyrat e Narçizit”. E bukura shfaqet e përdoret me funksione efikase shprehimore/narrative; të bukurën e gjen më shpesh në peizazhet e malit, të pyllit, të detit a të krojeve e kopshtijeve shkodrane; e gjen të bukurën te fytyrat e njerëzve, kryesisht vashave të qytetit a të fshatit, te veshjet e tyre. I shohim më poshtë disa tipologji shfaqjeje e përdorimi të së bukurës.

-E bukura si cilësi/dukje e jetës shembullore në fshat.

-E bukura natyrore si prolog dhe paralelizëm i një drame njerëzore:

-E bukura ambientale si dekor, për kontrast me kodet e shëmtuara zakonore:

– E bukura si botkuptim, si ndjeshmëri, si cilësi fundamentale e qenies idealiste në përplasje me vulgaren, profanen, botën materialiste.

Krahas këtyre funksioneve, E. Koliqi e gjen dhe e rrëfen të bukurën edhe kur ajo shfaqet në veprim, në gjeste të përvetëshme të personazhet dhe në marrdhëniet. Një përfaqësim kulmor ka e bukura vizuale, por dhe ajo iracionale, si peizash por dhe si botë imagjinare te “Pasqyrat e Narçizit”. Në çdo rast, e bukura te Koliqi është në shërbim të ndodhisë, të rrëfimit; me të bukurën e Koliqit ndodh gjithmonë diçka, siç shprehet shkrimtari Alesandro Bariko, ‘vjen një çast dhe korniza me pikturën rrëzohen vetiu prej murit…”

Tragjikja. Tragjiken, sipas praktikës krijuese të shek.XX, sidomos në teatër ku e kemi dhe tragjedinë pa gjakderdhje, mund ta hetojmë edhe te Koliqi; jo vetëm novela “Gjaku”, po dhe “Pasqyrat e narçizit”, e kanë një ndeshje pa kompromis të ideve, vizioneve, kohëve, reales dhe utopikes/imagjinares. Përherë humbet ai që përfaqëson kode të reja morale-etike, ide të reja qytetëruese, dhe te kjo humbje e së mirës, e rendit të ri qytetar, e humanes, ngjashëm me tragjedinë antike, fiton keqardhja dhe nderimi për humbësin.

-Piksimet filozofike

  1. Koliqi, si çdo autor i madh, nuk filozofon në letërsinë fiksionale, por gjendjet, situatat jetësore në të cilat vendosen, realizohen personazhet, përfaqësojnë shprehje të mprehta eksperiencash të cilat e kanë provokimin dhe domethënien e mëvetësishme filozofike. Gjendjet mentale&shpirtërore, çështjet jetike në diskutim, thërrasin për analizë, për reflektim tema e probleme që janë të fushës filozofike.

Në këtë hulli, pamë më lart se tregimet ndodhin jo dhe aq për shkak të intrigave, gabimeve, lëvizjeve të papritura të personazheve, por së pari, ata janë në gjendje të paracaktura, përfaqësojnë përherë diçka më tepër se vetja, më tepër se un-i i tyre i zakonshëm, janë fragmente botësh, idesh, mjedisesh të ndryshme deri në kundërshti, deri në konflik, deri në papajtueshmëri dramatike. Gjendjet dhe të sjellurit e personazheve koliqianë, ka për emërues të përbashkët fjalën ekzistencë, në kuptimin filozofik të saj, si më poshtë përshkruar nga emra përfaqësues të kësaj rryme mendimi: Sipas Hajdegerit – “Ekzistenca është esenca e njeriut; ekzistenca paraqet pikë për pikë vetë njeriun nëse nga errësira del diçka sikurse është të kuptuarit e qenies në përgjithësi. Gjithashtu ekzistenca është vetë njeriu në atë përmasë sa është për të esenciale mundësia. Ekzistenca është vetë njeriu nëse ai është në rrugë për kah qenia, nga vetvetja”. Sipas Satrit: “Ekzistencë quhet e tërë ajo që mund të jetë objekt i vetëdijes njerëzore, si e tillë, është ajo që i paraprin esencës-projeksion, mundësi e hapur në të cilën njeriu është i hedhur dhe mund të realizojë lirinë e vet.” Ose, edhe më afër përkufizmit të mëposhtëm të Karl Jaspersit gjenden personazhet më kryesorë të prozës artistike të Koliqit: “Mënyrë e qëndrimit ndaj vetvetes dhe ndaj transhedencës, si sendërtim i amëshueshmërisë përmes asaj që është kalimtare, jo e amëshueshme, kohës.”

Heronjtë e Koliqit, në zgrip gjendjesh ekzistenciale, nuk bien në ekzistencializëm, ata janë në proces ndërgjegjësimi, kuptojnë absurditetin e marrdhënieve mes tyre dhe shoqërisë/natyrës/botës. “Pasqyrat e Narçizit” për shembull, mund të analizohen edhe si prozë filozofike, aq i madh është koncentrimi i mendimit në to dhe rëndësia e motiveve të trajtuara me gjuhë poetike. Gjendjet vetjake njerëzore dhe marrdhënie njeri-ambient, të spikatura te Koliqi, mund t’i gjejmë të argmuntuara edhe nga një shkrimtar-filozof si A. Kamy te “Miti i Sizifit”, kur shkruan për Muret e Absurdit: “Ndodh që dekoret përmbysen. (shkurt-v.g)…Vetëm se një ditë bëhet pyetja “Përse” dhe gjithçka brenda kësaj kapitjeje fillon të duket e çuditëshme.” Kjo përse e madhe përbën nyjet e pazgjidhëshme të heronjve të Koliqit, të cilët nuk ndërtojnë a shterojnë intriga të rëndomta ndër-njerëzore, por shpalosin brendi, botkuptime, norma, përmbajtje esenciale duke shkaktuar efekte emocionalë, kënaqësi estetike, nxitje për mendim, meditim filozofik e përsiatje.

-PIKSIMET ETNOLOGJIKE

Duke shkruar librin e malit dhe librin e qytetit, Koliqi nuk bie në deskriptivizëm, nuk bëhet ciceron profan i kodeve zakonore, as i rregullave të jetës qytetase, siç mund të ndodhë me shkrimtarë të zakonshëm të cilët asimilohen nga origjinaliteti i temës dhe e bëjnë shpegimin lëndës së rrallë etnografike/folklorike a zakonore qëllim të parë, jo pjesë organike të narrativës. E. Koliqi, njohësh i shkëlqyer i kodeve zakonore, i mendësisë qytetse dhe malsore, i njohës i psikologjisë njerëzore, e përdor lëndën e e dijet nga etnosi për aq sa ajo mishërohet vetiu në personazhet e tij, ia përcakton heronjtë, konfliket, zgjidhet, situatat e ndryshme të veprimit. Në këtë mënyrë, E.Koliqi sillet si Zot ndaj lëndës së parë, funksionalizon trashëgiminë nga folklori, nga etnosi, si dhe çdo dije tjetër nga letërsia, filozofia, historia e psikologjia. Ndryshe veprojnë për shembull, me lëndën e mësipërme  Mitrush Kuteli dhe Musine Kokalari…

Është pranuar se “Pasqyrat e Narçizit” janë kurora e krijimtarisë së Koliqit. Këtu mund të gjendeshin më lehtë provat dhashakeqe e asgjësuese për “glorifikim”, “mistifikim”, “ikje nga realiteti”, “konservatorizëm mikro-borgjes,” “shkëputje nga problematikat ditorë”, etj. Përkundrazi, edhe te këto ‘pasqyra’ gjenden kritika të thukëta- autori i hedh vetes dhe etnisë shikime racionale të pamëshirshme; ai e zmadhon dhe madhëron bukurinë e së shkuarës, lavdinë e pretenduar, për t’i rënë ndesh asaj, për t’i dhënë krijimit natyrë polimizuese, faustiane. Domethënëse hollësitë e mëposhtëme, theksimet – të miat:

– “Dashurova përrallën e Narçizit”; “Shkodrën që shtrihej përtej mureve të oborrit si e rrëmbye në një andërr plot parandiesi tragjike nën hyllësit e largëta që dridheshin në hapësinat e pamatura të kupës qiellore”; “Vonë, shumë vonë, tue kërkue andrret krenare në pasqyrat e panjehuna të jetës”; “Ti je pinjoll i një fisi të mjeruem. A s’e kupton se në dëshirin tand vlojnë dëshiret e breznive që nuk njoftën asnjë çast hareje në jetë?”; “Dëshireve ju u vutë për caqe murin e shtëpisë edhe lumin e qytetit”; “Sigurisht në fytyrën time aty përtriheshin tiparet e ndonjë stërgjyshi bari.”

Në prozën e shkurtër Koliqi dëshmon me sukses një lloj etje për përsosmërinë; tregimet e tij lexohen më vete duke bartur tërë kureshtjen dhe befasinë estetike, por ata mund të perceptohen së toku, si libër i vetëm, si roman fragmentar ku fragmented – gurë të një mozaiku të madh të vetëm, janë tregimet; secili prej tyre  është  hapësira nga poezia te jeta. Shpegimin e fenomenit letrar Koliqi, duket se e zbulon vetë E. Koliqi kur analizon De Radën: “E përqëndron vëmendjen në të folurën duke shënuar rapsoditë heroike dhe baladat e dashurisë që i diktonin bashkëfshatarët. Ndjen freskinë e forcën e tyre… Para syve të Poetit, nga thellësia e mistershme e asaj natyre njerëzore rustike buron një substancë etnike me një vlerë origjinale që i duket plot mundësi virtuale të realizueshme. Gjithë aparati i tij libresk i shkollimit të tij shkrihet  para këtij realiteti mahnitës.”May be an image of 2 people and text that says "REDMI NOTE 9S AI QUAD CAMERA"

 

 

 

Latest articles

Related articles