“As largimi i Berishës nuk zgjidh më punë” – Opozita nuk duhet të bëhet radikale


Nga Sebastian Zonja

Partia Socialiste fitoi thellë, në të gjithë Shqipërinë, njëjtë si në vitin 2015. Sherri brenda opozitës nuk nxorri shumë qytetarë në votime. Zhbalancimi i pushtetit në këtë mënyrë nuk është i mirë për demokracinë.
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 vunë Partinë në qendër të sistemit politik, duke anashkaluar çdo pushtet tjetër. Në Shqipëri nuk e vë dot gishtin se cili është organi më i fuqishëm kushtetues dhe si e kontrollojnë njëri – tjetrin këto organe – Presidenti, Kryeministri, Parlamenti apo Gjyqësori.
Ndryshe nga vendet perëndimore, vënia e Partisë në themel të sistemit politik ka deformuar strukturat e vendimmarjes dhe kontrollit të pushtetit. Partia dërgon emrat e deputetëve në Parlament, ajo ka në dorë qeverinë, qeveria bën si thotë Kryeministri, Gjyqësori është në reformë tash e 8 vjet… që do të thotë se nuk ka asnjë instrument kontrolli mbi pushtetin e Kryeministrit, teksa demokracia e brendshme e partive politike është nëpërkëmbur gjithnjë.
Opozita, e cila më shumë ka luajtur rolin e balancës së pushtetit, kur këtë rol duhej ta luanin institucionet, tashmë është në agoni më të thellë se ç’ishte. Qytetarët nuk besuan te alternativa e tyre.
Fitorja e thellë e zgjedhjeve vendore nga ana e Partisë Socialiste përgatit terrenin për fitore, sërish, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Opozita ka disa mundësi për t’u rigjeneruar, por zor se do të ndodhë.
– Reflektimi dhe ndërmarrja e proceseve të brendshme zgjedhore është kusht për të ndërtuar legjitimitet.
– Radikalizimi i saj. Hedhja e fajit te qytetarët pse nuk e votuan dhe arguementet bajate “popull dele” janë premisat e para se nuk ka hapa për reflektim, por radikalizim të mëtejshëm që do t’i kushtojë rëndë në zgjedhjet e tjera.
– Diaspora. Vota e diasporës mund të luajë rol të rëndësishëm për të thyer status quonë në vend, ndërkohë që palët kanë qenë dakord për ta anashkaluar votën e saj.
– Shpresa se Amerika dhe SPAK-u do të rregullojë punët e brendshme të subjekteve politike nuk është projekt politik. Politizimi i marrëdhënieve të jashtme me SHBA-të dhe politizimi i drejtësisë është i dëmshëm dhe, në afatgjatë, rrënon besueshmërinë e qytetarëve te fuqia e tyre për të sjellë ndryshim. Fokusi i PD-së së vulës se me arrestimin e Berishës nga SPAK-u do të zgjidhte punët në PD, si dhe narrativa e Rithemelimit se bashkë me McGonigalin do arrestohet edhe Rama zbehu edhe më tej besueshmërinë e qytetarëve se ata kanë në dorë diçka.
– Radikalizimi i mëtejshëm i opozitës do ta përçajë atë edhe më thellë, duke vënë në punë projektin që Shqipëria t’i ngjajë Serbisë si sistem politik. Nëse deri dje shpresa se largimi i Berishës do të hapte flukse të reja në opozitë ishte kryefjalë, sot është shtuar edhe një ndryshore tjetër në ekuacion, e cila duhet marrë shumë seriozisht – cili është projekti politik për të mos përfunduar si Serbia, me disa fraksione opozitare që kontrollohen nga Vuçiçi?

Latest articles

Related articles