“Humbëm tolerancën për të fituar sinqeritetin”

 

Klarenc Novaku, Vatran, SHBA

 

Në mediet e Tiranës, të mërkurën mbrëma, u shfaq një video që tregonte se si ish-kryedemokrati Lulzim Basha mund të ishte takuar me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Videoja vjen vëtëm pak ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Po ndalem në disa aspekte për ta analizuar atë video:

 

  1. Armiqësia që është përfshirë Partia Demokratike nuk lejon të shohësh përtej politikës ditore. Nëse video është e vërtetë, pyetja do të duhej të drejtohej se çfarë kanë biseduar, jo cilët janë tradhtuar. Amerika sot vuan nga institucionalizimi i tepërt, sipas shumë autorëve. Ndërkohë, Shqipëria jonë e bukur vuan nga mungesa e institucioneve. Për shkak të armiqësisë së politikanëve këtu në Amerikë, për herë të parë, shteti rrezikon faliment. E tha më herët edhe shefja e Rezervës Federale Xhenet Jellen se duhet një marrëveshje për tavanin e borxhit. Palët nuk bien dakord se janë ngërthyer në një luftë të fortë inati, ndërkohë që nuk duan të shpallen tradhtarë nga të vetët. Në Shqipëri, diskutimi politik mes palëve është mëse i domosdoshëm, ndërkohë që duhet të qartësohen cilat janë vijat e kuqe, pork jo nuk ndodh. Sa më shumë të futemi në qerthullin e tradhtarëve, aq më keq është për shqiptarët. Klima do të nxehet më shumë, baza do të kalojë në sharje dhe fyerje, ndërkohë që të humburit e të fituarit, në afatgjatë, do të jenë veç politikanët mendjengushtë.

 

  1. Është detyrim sqarimi i publikut demokrat mbi vërtetësinë ose jo të asaj videoje. Shantazhi me video në politikën shqiptare ka qenë pjesë e pandashme. Më herët është kërcënuar me video ish-ambasadori i BE-së Luixhi Soreka dhe ambasadorë të tjerë të vendeve mike. Duke qenë se, fatkeqësisht, në Shqipëri jemi ende nën sistemin enverist akuzator, ku viktima duhet të vërtetojë pafajësinë, jo prokurori akuzën, shqiptarët duhet të sqarohen mbi vërtetësinë e imazheve të publikuara. Nëse është e vërtetë se në atë pallat banon e ëma e ish-kryedemokratit dhe ka banesën edhe z. Balla, kjo duhet të faktohet. Heshtja dhe kalimi në heshtje i akuzave, në politikë, është pranim i fajit, jo e kundërta. Opinioni publik është i rëndësishëm për politikanët.

 

 

  1. Zgjedhjet mbahen veç pak ditë më vonë, të dielën. Qytetarët do të shkojnë drejt kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre. Partia Demokratike ka hyrë në një cikël krizash të njëpasnjëshme dhe, shpresoj, se në fund të tunelit ka dritë. Procesi përmes të cilit po kalon sot PD-ja është i njëjtë me atë që do kalojnë subjekte të tjera politike, madje, edhe shoqëria jonë e drobitur nga tranzicioni i tejzgjatur, krimet e padënuara të komunizmit dhe vjedhjet e stërmëdha. Me ndihmën e votës së demokratëve që duan të shohin një PD konkurente, ngjashëm me simotrat e veta evropiane, e ardhmja është më e bukur. Për shembull, Britania, vendlindja e parlamentarizmit modern, ka në anëtarësinë e subjekteve të veta vetëm pak mijëra anëtarë. Jo me qindra mijëra siç ka pasur deri më sot PD-ja apo PS-ja. Arsyeja është e thjeshtë – ka mendje dhe krahë:
  • Mendja janë strategët, siç janë shumë këtu në Amerikë afër republikanëve apo demokratëve. Ata hartojnë strategjitë e fitores në marrëdhënie me publikun, me përballjet mediatike dhe platforma qeverisëse.
  • Muskujt janë personat politik të terrenit, ata që dinë të trokasin derë më derë. Pa një fushatë kapilare, kudo në botë, në çdo vend demokratik, është e pamundur që të fitosh. Ndodh këtu në Amerikë, ndodh në çdo vend të Evropës.

Partia Demokratike i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që të kthehet në lokomotivë të ndryshimeve aq të kërkuara nga shqiptarët. Larg retorikës politike, mjaf politikanë me bagazh dhe të rinj plot energji dhe dije janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për një PD më të mirë sot, që të kemi një Shqipëri më të mirë nesër.

 

Voto Partinë Demokratike! Sot e ke mundësinë të dalësh jashtë trekëndëshit pushtetar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Rruga ka qenë e mundimshme, por ajo ka skalitur në mendjen e gjithëkujt se Shqipëria do të jetë më mirë nesër, nëse sot, si demokratë, do t’i japim një dorë Partisë tonë Demokratike.

Latest articles

Related articles