“Lavdi heroit”, vetëm Yuri Kim dhe Albin Kurti përkujtojnë datën e lindjes së Skënderbeut

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka treguar edhe një herë se është e vëmendshme ndaj ngjarjeve dhe datave historike të vendit tonë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kim ka përkujtuar datën e lindjes së heroit kombëtar, Gjergj kastriot Skënderbeu.

“Heroi kombëtar i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u lind më 6 maj 1405. Përkushtimi i tij i palëkundur ndaj atdheut, nderi, guximi dhe besnikëria e tij vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot. Udhëheqja dhe taktikat ushtarake të Skënderbeut kundër pushtuesve të huaj e kanë bërë atë simbol të qëndresës dhe krenarisë. Ne jemi të nderuar t’u bashkohemi shqiptarëve në përkujtimin e kësaj dite dhe nderimin e trashëgimisë së Skënderbeut”, thuhet në reagim.

Ndërkohë që politkanët e Shqipërisë janë në kohë fushate dhe postimet e tyre kanë të bëjnë me aktivitetin e tyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme ditës së lindjes së Skënderbeut.

Postimi i plotë i Kurtit
Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit.” – Ky gjykim i Fan S. Nolit i shkruar si fjali e parë në hyrje të monografisë së tij për Skënderbeun dhe e botuar më 1947 nga Universiteti i New York-ut, ka ruajtur vërtetësinë e tij deri sot. Ndryshe nga data e vdekjes së tij (17 janar 1468) që është regjistruar nga kronistët e kohës, data e lindjes së Skënderbeut asnjëherë nuk është fiksuar me siguri.
Megjithatë, nisur nga emri i tij, Gjergj, historianët kanë ngritur hipotezën që dita e shenjtorit Gjergj, 6 maji, mund të jetë ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Sido që të jetë, qoftë dhe vetëm për këtë arsye, data 6 maj është një shkas tjetër për ta kujtuar Skënderbeun, Kryezotin e Arbërisë.
Bibliografia e titujve të veprave të shkruara për Skënderbeun tejkalon shifrën 1000, duke e bërë atë një nga figurat historike për të cilin botërisht është shkruar më së shumti. Biografi, poema, drama, opera dhe studime historike, politike, diplomatike dhe ikonografike, si dhe gjini të tjera, janë zgjedhur nga autorë shqiptarë dhe botërorë për ta trajtuar Skënderbeun dhe atë çfarë ai përfaqëson. Që nga Marin Barleti dhe Frang Bardhi, jeta dhe vepra e Skënderbeut ka tërhequr vëmendjen dhe ka nxitur interesimin e shumë autorëve dhe studiuesve shqiptarë dhe nga gjithë bota.
Veçanërisht një korpus veprash dhe punimesh të shkruara gjatë njëqind viteve të fundit nga autorë si Fan S. Noli, Athanas Gegaj, Marin Sirdani, Giussepe Valentini, Injac Zamputti, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Kasem Biçoku, Kristo Frashëri, Moikom Zeqo, Oliver Jens Schmitt, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi etj., e mbajnë ende shumë të gjallë historinë e Skënderbeut edhe për kohët tona.
Luftëtar i guximshëm e patriot i madh, prijës i shquar dhe strateg ushtarak, politikan vizionar dhe diplomat i shkathët, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është personaliteti më i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, kurse figura e tij prej heroi, nga koha e tij te rimarrja prej rilindasve dhe deri te ne sot, ka mbetur qendror në identitetin shqiptar.
Lavdi heroit të kombit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut për jetë e mot.

Latest articles

Related articles