Përfaqësuesi i VIP-ve të Rolling Hills

Nga De. Endrit Shabani

Nuk ka ndonjë gjë të keqe që banorët e Rolling Hills kanë dalë për të kërkuar vota për Erionin. Ai është vërtetë përfaqësuesi i tyre.

Dhe kur ata thonë që “Erioni punon”, kanë të drejtë. Erioni punon për ta dhe për lagjen e tyre.

Në lagjet e tyre nuk ka kulla, ka vende parkimi, ka siguri dhe qetësi, ka ujë 24 orë dhe ajër të pastër.

Kështuqë kur ata flasin se sa mirë ka punuar Erioni, po thonë të vërtetën e tyre, të vërtetën e lagjes së tyre.

Ka qënë një kohë kur Partia Socialiste nxirrte në spote njerëz të zakonshëm, sepse atëherë kërkonte votat e atyre që jetonin në lagje të zakonshme.

Por tani që kanë 10 vjet në pushtet i kanë zëvendësuar njerëzit e zakonshëm me VIP-at e Rolling Hills, sepse mesa duket, i duhen vetëm votat e VIP-ave.

Ne të tjerët, që jetojmë në lagjet e zakonshme, që nuk kanë ujë, që nuk kanë vende parkimi apo hapësira të gjelbërta, apo që jemi rrethuar me kulla, ne mendojmë ndryshe.

Kur ne themi “që Erioni vjedh”, ne po themi të vërtetën tonë, të vërtetën e lagjes sonë.

Kemi dy të vërteta, pasi secili nga ne jeton në lagje të ndryshme, në një Tiranë që ofron dy realitete të ndryshme.

Prandaj në 14 Maj, secili të votojë për përfaqësuesin e vet. Dhe përfaqësuesi ynë nuk mund të jetë as Erion Veliaj dhe as rrethi i VIP-ave të showbizit.

Latest articles

Related articles