Në Paris, Lion dhe Nantë shpërthejnë protestat kundër reformës së pensioneve

Sindikatat në Francë po përdorin 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, për të mobilizuar më shumë protesta kundër reformës së pensioneve të presidentit Emmanuel Macron, e cila tashmë është miratuar.

Autoritetet presin rreth 650 000 pjesëmarrës në më shumë se 300 protesta në të gjithë vendin. Më shumë se 12 mijë policë janë mobilizuar, 5 mijë prej tyre vetëm në Paris informoi ministri i Brendshëm Gerald Darmanin.

Në Paris rreth orës 15:00 janë shënuar incidentet e para kur persona të veshur me të zeza sulmojnë objektet në rrugë. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Gaz lotsjellës është përdorur edhe në qendër të Lionit dhe në qytetin perëndimor të Nantes.

Edhe në qytetin e Nantes përleshjet kanë shpërthyer rreth orës 13:30. Ka pasur dëmtime të godinave ndërsa janë arrestuar 14 demonstrues, shkruan Le Monde.

Qeveria e Macron e sheh reformën e pensioneve, e cila e shtyn moshën e pensionit në 64 nga 62 vjeç, si një punë të përfunduar por sindikatat dhe disa anëtarë të opozitës nuk heqin dorë nga lufta dhe duan të pengojnë zbatimin e projektligjit më 1 shtator.

Organizatorët e shohin reformën e pensioneve si një kërcënim për të drejtat e punëtorëve të luftuara shumë , ndërsa Macron argumenton se është ekonomikisht e nevojshme ndërsa popullsia plaket.

Latest articles

Related articles