🔴Erion Veliaj, 93 milion € tendera. Manovrat për t’i shpëtuar sanksioneve të KQZ

Një vrull i pazakontë në hedhjen e asfaltit pushtoi muajt e fundit punonjësit dhe nënkontraktorët e bashkisë së kryeqytetit.

Pothuajse në të njëjtën kohë, të dirigjuara në harmoninë e një orkestre, punëtorët, kamionët, vinçat dhe makinat e ziftit mbulonin gropat e rrugëve të Tiranës.Vrulli nuk po ndalet as sot, dy javë larg datës kur kryeqytetasit do të vendosin se kush do të drejtojë dhe menaxhojë Tiranën.

Asfalti elektoral tashmë është një traditë për çdo parti politike në pushtet. Udhëheqës të tyre, të shoqëruar me kandidatin e zonës, dukeshin përpara kamerave teksa prisnin një shirit dhe inaguronin rrugën.

Akuzat më pas për përdorimin e fondeve publike për përfitime politike të partisë në pushtet lëshoheshin edhe më rëndë se asfalti. Për këtë arsye, partitë kryesore në Shqipëri ranë dakord në vitin 2020 që të ndryshonin Kodin Zgjedhor dhe të mbyllnin kapitullin e akuzave, sharjeve dhe derdhjes së thasëve me para për rrugë e asfalt të nxituar.

Ky angazhim dukej se do të lehtësonte nga puna edhe misionin ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve OSCE-ODIHR, të cilët në çdo raport zgjedhjesh shënonin dhe investimet publike me synim votat.

Por ndryshe nga sa u duk fillimisht, vendosja e këtyre rregullave ka hapur punë si për misionin e OSCE dhe për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, të cilët duhet të miratojnë aktivitetet publike të kandaidtatëve, Me këtë rast, marrëveshja dhe dnryshimet në kodin bashkive e qindra zyrtarëve të tjerë në qeveri dhe institucione të pavarura.

Deri tani Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka penalizuar 11 zyrtarë dhe për shkelje të rregullave të raportimit të aktiviteteve dhe daljes në në evente politike që janë refuzuar nga Komisioneri i Zgjedhjeve pasi lidheshin me përdorimin e fondeve publike për përfitim elektoral. Mes personave që u është vendosur gjobë në nga KQZ dhe është pranuar edhe nga Këshilli i Ankesave janë kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi, ai i Librazhdit Kastriot Gurra, i Prrenjasit Nuri Belba dhe Andis Salla kryetar i bashkisë Cërrik.

“Gjithnjë kanë gjetur mënyra për t’i rrëshkitur ligjit dhe duhet vënë një nen i veçantë nominal që të pengojë asfaltin elektoral në kohë fushate, të mos e lejojnë”, thotë drejtori i Infochip Gerti Shella.

10 parti politike, mes tyre edhe Partia Socialiste dhe Demokratike janë gjobitur me 500 mijë lekë gjobë pasi kanë paraqitur raporte financiare pa zbatuar standardet e vendosura nga KQZ për detajimin e donacioneve dhe shpenzimeve.

Përdorimi në fushatë i investimeve publike nuk godet vetëm prishjen e vullnetit të lirë të votës, por dhe keqmenaxhimin e fondeve të buxhetit qëndror dhe vendor për projekte të nxituara që degradojnë shpejt.

“Edhe në momentin që punohet, cilësia le shumë për të dëshiruar, bëhen rrugë pa standarde, pa sinjalistika, pra shpërdorohen fondet”, sqaron Agron Haxhimali, drejtor i Institutit të Bashkive.

Më datën 12 janar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirijan Celibashi, i dërgon një letër 61 bashkive, ministrive dhe institucioneve të pavaruara ku u kujton detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor për rregullat e fushatës: njoftimi i pjesëmarrjes në aktivitete publike nga titullari apo çdo punonjës i institucionit, ndalimi i pjesëmarrjes së punonjësve publikë në aktivitete politike gjatë orarit zyrtar dhe ndalimin e promovimit të investimeve me pjesëmarrje të elektoratit apo projekteve të cilat janë tenderuar pas datës 13 janar 2023.

“Duke filluar nga data 13 Janar 2023 deri në datën 14 Maj 2023, çdo organ publik ka detyrimin të raportojë paraprakisht në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve mbi veprimtaritë publike të kryera nga titullari ose çdo punonjës i administratës. Promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve dhe përfaqësuesve të partisë politike konsiderohet si veprimtari politike zgjedhore. Ndalohet promovimi i projekteve në investime e shërbime për të cilat fondet janë planifikuar pas datës 13 Janar 2023 dhe jashtë programit buxhetor të fillim vitit”, thuhet në letrën e dërguar nga Komisionieri i Zgjedhjeve.

Në filozofinë kineze Jing dhe Jang përshkruhet koncepti se si forcat e kundërta nuk ndahen nga njëra-tjetra, por përkundrazi bashkëveprojnë me njëra-tjetrën. Vetë universi u krijua nga energjia e kaosit që prodhoi ky bashkëveprim. Në bazë të këtij koncepti e mira dhe e keqja janë bashkë dhe nuk bëjnë dot pa njëra tjetrën. Sa më shumë rritet njëra, poa q fuqizohet dhe tjetra.

Kjo filozofi shpjegon më së miri se çfarë është duke ndodhur edhe me fushatat në Shqipëri. Nëse fondet e buxhetit përdoren për zgjedhje dhe shtrëngohen rregullat e raportimit, njësoj ndodh dhe me anën tjetër, edhe taktikat për t’i shpëtuar këtyre rregullave zhvillohen me të njëjtin ritëm.

Kështu ka vepruar edhe Bashkia e Tiranës. Ndryshimeve të Kodit Zgjedhor të vitit 2020 shtabi elektoral i kandidatit që është aktualisht dhe kryetar i bashkisë së kryeqytetit iu përgjigj me dy manovra: hapjen e tenderave për investime publike 3 muaj përpara se të hynte afati për promovimin e tyre në fushatë dhe dalja në evente publike për investime dhe projekte të reja duke hapur zyrarisht garën 2-3 ditë mbrapa.

Emisioni Kronos ka zbuluar se në të paktën 4 raste, kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar aktivitete që konsiderohen si veprimtari politike zgjedhore duke promovuar projekte për të cilat tenderi është hapur disa ditë më pas.

Projekti i parë lidhet me zhvillimin e Zonës Teknologjike dhe Zhvillimit Ekonomik të Tiranës TEDA. Në këtë aktivitet kryebashkiaku Veliaj shoqërohej edhe nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.

Veliaj e shiti ndërtimin e zonës teknologjike si një lajm që do të punësonte 5 deri në 7 mijë njerëz dhe do t’i vinte në ndihmë banorëve të Astirit, Kombinatit, Misto Mames dhe Kasharit. Edhe pse projekti do të ndërtohet në afërsi të Kasharit, njësitë afër me këtë fshat të cilat votojnë për bashkinë e Tiranës ishin qëllimi kryesor për të tërhequr vëmendje për kandidatin socialist.

“Këtu bëhet fjalë për punët e së ardhmes, jo për punët e së kaluarës. Ky është një lajm i shkëlqyer, sidomos për ata që banojnë në zonën e Astirit, Kombinatit, Misto Mames dhe Kasharit. Bëhet fjalë për të krijuar një treg pune për 5-7 mijë persona të mirëpaguar, që sigurisht përfituesit kryesorë janë ata që e kanë afër shtëpisë”, u shpreh gjatë aktivitetit kryebashkiaku Veliaj.

Aktiviteti publik u zhvillua në datën 28 mars të këtij viti dhe 2 ditë më vonë bashkia e Tiranës hapi garën në Agjencinë e Prokurimit Publik për ndërtimin e infrastrukturës të zonës “TEDA” me fond limit 4.2 milion euro.

Një tjetër projekt për të cilin tenderi është hapur 15 ditë pas aktivitetit publik të zhvilluar nga kryebashkiaku Veliaj është ndërtimi i tregut të ri Agroushqimor në zonën e Farkës. Më datën 19 mars socialisti Veliaj i shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë Frida Krifca prezanton nismën për ndërtimin e tregut. Gara për fazën e parë të projektit është hapur më 4 janar dhe është mbyllur në 20 janar, ndërsa faza e dytë dhe tretë janë ende në process prokurimi. Më 19 mars Veliaj premtoi ngritjen e hapësirës për shitjen e produkteve ushqimore në këtë zonë, duke dhënë dhe një parashikim për uljen e çmimeve të ushqimeve, pavarësisht valës inflacionit që ka pushtuar shumicën e vendeve të botës.

“Ajo që do ndodhë është se çmimet do të ulen ndjeshëm e kam parashikuar bashkë me Fridën. Duke i ulur këto tarifa dhe duke e çuar në një treg publik, që nuk ka qëllim fitimin, por administrimin e asaj hapësire, kemi llogaritur se do të kemi 70% ulje të të gjitha tarifave në treg”, tha Veliaj në fjalën e tij.

Më 5 prill Bashkia e Tiranës hap garën për fazën e dytë të ndërtimit të tregut të shitjeve me shumicë e pakicë të produkteve ushqimore Tirana Agrikulturë me kosto 375 mijë euro, ndërsa për fazën e parë prokurimi me vlerë 250 mijë euro u mbyll në fund të janarit.

Mbrëmjen e datës 15 mars, Erion Veliaj del në krah të punëtorëve të cilët po hidhnin asfalt në rrugët afër Liqenit të Thatë. Rikualifkimi urban i zonës “Kodra e Diellit” me fond limit 2.3 milion euro u hap si tender më datën 7 shkurt të këtij viti dhe u mbyll më 22 shkurt. Disa javë më vonë kandidati socialist shfaqet në krah të punëtorëve që po zbatonin kontratën. Ky aktivitet është në në shkelje të rregullave të vendosura nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve pasi tenderi është hapur brenda afatit kohor të 4 muajve përpara zhvillimit të zgjedhjeve.

“Një lajm tjetër për zonën është se aksi i rrugës që shkon nga Liqeni i Thatë te Kopshti Zoologjik do të kthehet me dy kalime, që të sigurohemi që rrethrrotullimi i Kopshtit Zoologjik, edhe pse aty është bërë një parking për të çliruar trafikun”, u shpreh Veliaj.

“Abuzimi me detyrën është edhe vepër penale dhe duhet të bëjë punën dhe Prokuroria përveç KQZ që të ndalet deformimi i vullnetit të votës nga përdorimi i fondeve publike”, thotë Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare”.

Në një tjetër, dalje publike përkrah zv/kryeminsitres Belinda Balluku, kryebashkiaku Erion Veliaj promovoi punimet në lotin 5 të Unazës së Madhe, ku edhe pse rregullat e fushatës e ndalojnë të bëjë thirrje politike në promovimin e investimeve publike, ai nuk harroi të artikulonte slloganin e Partisë Socialiste.

“Çdo gjë po shkon përpara” tha ai në fund të fjalës.

Që nga muaji shtator i vitit 2022 dhe deri më sot, Bashkia e Tiranës ka prokuruar projekte në fushën e investimeve publike dhe shërbimeve ndaj komunitetit me vlerë 93 milion euro. Kjo shumë përbën 55% të buxhetit të bashkisë për fondet e mirëmbajtjes dhe investimeve publike.

Vlera e shpenzimeve vetëm për investime publike e tenderave të hapur kap shifrën 78 milion euro duke zënë 70% të totalit të investimeve publike të planifikuara për këtë vit.

Latest articles

Related articles