Si trajtohet inkontinenca urinare (mosmbajtja e urinës ) te meshkujt?

Duhet pasur parasysh se nuk ka një trajtim të njëjtë për të gjithë. Trajtimi varet nga sa i rëndë është problemi juaj, nga stili i jetesës, preferencat tuaja, dhe fillohet me trajtimet më të thjeshta. Shumë meshkuj rifitojnë kontrollin e fshikës së urinës duke bërë disa ndryshime në zakone, si dhe duke bërë ushtrime që forcojnë muskujt që mbajnë urinën në fshikëz. Nëse këto trajtime nuk funksionojnë, atëherë mund të zgjidhni mjekime apo pajisje të mbajtjes, si për shembull një kateter. Për disa meshkuj zgjidhja më e mirë mbetet kirurgjia.

Trajtimi i sjelljes
Për disa burra shmangia e inkontinencës është po aq e thjeshtë sa kufizimi i lëngjeve në disa kohë të ditës ose planifikimi i kohës së vajtjes në banjë. Kjo është një terapi e quajtur “trajnimi i fshikës”. Ndërsa rifitoni kontrollin, mund të rrisni periudhën midis kohës së vajtjes në banjë. Gjithashtu ushtrimet Kegel, të cilat shërbejnë për forcimin e muskujve pelvikë janë të rëndësishme. Ushtrimet Kegel nuk janë verifikuar plotësisht, por shumë doktorë kanë arritur në përfundimin se shumë pacientë të tyre kanë përfituar prej këtyre ushtrimeve.
Por si i bëni ushtrimet Kegel?
Mënyra e parë është duke gjetur muskujt e duhur. Imagjinoni sikur po përpiqeni që të mos lejoni gazrat të dalin nga trupi juaj. Mbajini të shtrënguar këta muskuj. Nëse keni një ndjesi “tërheqjeje”, ata janë muskujt e duhur pelvikë që duhen për ushtrimet tuaja të legenit.
Ndërkohë nuk duhet të shtrëngoni muskuj të tjerë apo të mbani frymën. Gjithashtu duhet të tregoheni të kujdesshëm të mos shtrëngoni stomakun, këmbët apo muskujt e vitheve. Shtrëngoni vetëm muskujt e legenit. Shtrëngojini dhe numuroni deri në tre. Pastaj relaksohuni dhe numuroni deri në tre. Përsëriteni, por mos e teproni. Punoni me 3 sete nga 10 përsëritje. Filloni t’i bëni ushtrimet e muskujve të legenit kur jeni shtrirë. Në këtë pozicion është më e thjeshtë.
Kini durim dhe mos u dorëzoni. Mjaftojnë 5 minuta nga 3 herë në ditë. Shumica e njerëzve thonë se ndiejnë një përmirësim pas rreth 6 javësh.

Mjekimi
Ilaçet ndikojnë në fshikëzën e urinës në mënyra të ndryshme. Disa ilaçe parandalojnë inkontinencën duke bllokuar sinjalet nervore jo normale që e bëjnë fshikëzën të kontraktohet në kohën e gabuar, ndërkohë që të tjera ngadalsojnë prodhimin e urinës. Ka ilaçe të tjera që relaksojnë fshikën ose tkurrin prostatën. Para se të japë një ilaç për trajtimin e inkontinencës, doktori juaj duhet të konsiderojë zevendesimin e një ilaçi që ju tashmë e merrni. Për shembull, diuretikët jane ilace që shpesh jepen për trajtimin e tensionit të lartë të gjakut, sepse pakesojne lëngjet në trup duke shtuar prodhimin e urinës. Disa burra kanë parë se duke ndërruar diuretikun me një tjetër ilaç për tensionin e gjakut, i ka dhënë zgjidhje problemit të tyre. Por nëse ky nuk është rasti juaj, atëherë mjeku mund të japë ilaçe të tjera për zgjidhjen e problemit.

Trajtimi kirurgjikal
Disa meshkuj me probleme me urinimin e pavullnetshëm mund të ndihmohen nga kirurgjia. Bëhet fjalë për rastet e dëmtimit të nervave, si për shembull dëmtime të shtyllës kurrizore ose në rastet e heqjes së plotë të prostatës.

Nga Dr. ALKET KOROSHI

Latest articles

Related articles