Kunati i biznesmenit Rezart Taçit, Artur Balla është dënuar nga Gjykata e Posacme me 11 vjet burg.
Ndërsa, është dënuar me 10 vjet burg edhe shoferi i Taçit, Bledar Lilo. Të dy akuzohen për pastrim parash.
Kush është Artur Balla
Kunati i Rezart Taçit, Artur Balla, është një prej personave që u arrestua me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se është i përfshirë në një skemë të pastrimit të parave.
Balla njihet si një nga njerëzit më të besuar të biznesmenit të naftës, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK, në bashkëpunim me Interpol.
Po ashtu, Balla është djali i gjyqtares së Tiranës Dhurata Balla, e cila dha dorëheqjen nga detyra, pasi KPK i la asaj barrën e provës për justifikimin e pasurisë, gjatë procesit të Vetingut.
Kush është Bledar Lilo
Bledar Lilo është një nga personat më të besuar të ish-bossit të naftës Rezart Taçi.
Mësohet se Bledar Lilo është ish-truproja e Taçit dhe aksioner në disa kompani në Shqipëri. Ai dyshohet se ka pastruar paratë në bashkëpunim me një tjetër të besuar të Taçit, kunatin e tij Artur Balla.
Aktualisht Lilo rezultoi i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin e subjektit Lilo Petrol. Ky ishte një subjekt eksport tregtimi me shumicë dhe pakicë të naftës dhe nënprodukteve të saj.
Ndërkohë që emri i Bledar Lilo është bërë publik për mediat edhe më herët në kohën kur ky i fundit punonte si truprojë për Rezart Taçin.
Ai është shpallur fajtor gjatë një konflikti të ndodhur në ish-bllok mes Rezart Taçit dhe një gazetari.