Marrëveshja e Ohrit, një vrimë në ujë

Nga Sebastian Zonja

Këtë të dielë, mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet vendore të katër komunave në veri të Kosovës tregoi sa seriozisht i merr angazhimet e veta Serbia. Kjo mospjesëmarrje për shkak të frikësimit të tyre me banda kriminelësh tregoi dhe pafuqinë amerikane dhe evropiane për ta angazhuar Serbinë në procesin e paqes.

Pas zgjedhjeve të pjesëshme të kësaj të diele, marrëveshja e Ohrit ka një pikëpyetje të madhe përpara – pse nuk e zbaton Serbia?

Së dyti, komuniteti ndërkombëtar, SHBA dhe Bashkimi Evropian, duhet të reflektojnë gjatë dhe të shohin qartë se ku qëndron arsyeja e destabilizimit të Ballkanit.

Sipas meje, arsyeja, prej dekadash, ka qenë shovinizmi serb. Sot, edhe pse ai është veshur me figurën e kuruar të Vuçiqit, imazhin ndërkombëtar të Bërnabiqit, Beogradi zyrtar mbetet po njësoj shoven.
Serbët janë të interesuar për ta mbajtur të tensionuar veriun e Kosovës që ta shfrytëzojnë për interesat e veta. Rusët po ashtu. Për Rusinë ballkanike, përplasja etnike është casus belli më i mirë i trazimit të situatës, njëjtë si në Bosnje.

Amerikanët e dinë këtë, po ashtu edhe evropianët, por nuk e kuptoj pse e mbyllin njërin sy. Serbët, sy gjithë botës, po bëjnë genocid të heshtur ndaj serbëve në veri të Kosovës duke i trajtuar si mashë e shovinizmit të tyre. Prishtina duhet të tregojë aftësinë e saj se çdo bandit dhe kriminel, me ndihmën e Beogradit apo Moskës, që cënon të drejtat e një serbi në Kosovë, do përballet me drejtësinë dhe e pret një fund i hidhur.
Vetëm kështu do të merrej seriozisht nga qytetarët serbë dhe ata do ta legjitimonin Kosovën si shteti i tyre. Përndryshe, do presim dekada derisa serbi i fundit të largohet prej andej dhe Kosova të mbetet pak qindra mijëra banorë me politikën e tensionit që ndjek Beogradi.

Latest articles

Related articles