Karuseli 40 miliard euro ku bën festë Rama-Berisha-Metaj!


Nga Poli Hoxha

Që nga dita, (28 tetor 2021), kur Lulzim Basha dekonspiroi në parlament “Trekëndëshin e Bermudës”, Rama-Berisha-Metaj, kanë rrjedhur shumë ujëra.

Reagimi i parë në unison i Trekëndëshit ishte një fushatë e paprecedentë propagandistike në medie, rrjet dhe çdo fjalim duke hedhur baltë, denigrim, shpifje, akuza monstruoze mbi denoncuesin dhe gjithë pjesën e Partisë Demokratike, e cila u pozicionua kundër kësaj organizate oligo-kriminale-politike që sundon vendin prej 32 vitesh.

Pak kohë pas kësaj deklarate të fortë, e cila bëri që Meduza të shfaqte të tre format e saj të kokave dhe fytyrave në të njëjtin trup, Basha në një intervistë televizive, e zbërtheu kështu:

Ka një Karusel që vërtitet, janë të njëjtët oligarkë, të njëjtët kriminelë që përfitojnë, është i njëjti popull, të njëjta shtresa, të përndjekurit, pronarët, sipërmarrësit, rinia, intelektualët, profesionistët, shtresa e mesme, fermerët të cilët vetëm dëmtohen ekonomikisht, nga pikëpamja shoqërore, detyrohen të emigrojnë.

Pra pas reagimit me lumenj balte dhe shpifjesh, nuk qëndrojnë thjesht Sali Berisha, Ilir Metaj dhe Edi Rama, por qëndron mbi të gjitha Karuseli me të njëjtët oligarkë dhe organizata kriminale të cilët njëkohësisht posedojnë edhe miliarda dhe shumicën e medieve dhe analistëve. Tre brinjët e Trekëndëshit dhe pas tyre ndjekësit dhe kandidatët momentalë, janë thjeshtë çirakë të Karuselit. Dhe ky fakt tashmë as që po fshihet më.

Ashtu siç thamë në fillim, që nga demaskimi që Basha i bëri kësaj organizate ekonomike-kriminale-politike, kanë rrjedhur shumë ujëra, të cilat aktualisht me rastin e kësaj fushate elektorale janë kthjelluar më shumë se kurrë.

Vetë Edi Rama madje e ka kthyer këtë Trekëndësh, në posterin e tij elektoral. Interesante do të jetë nëse do të guxojë që ta vendosë, edhe te rruga ku gjendet selia e SPAK. Karuseli 40 miliard euro ku bën festë Rama-Berisha-Metaj!

Mesazhi që jep është, se nëse keni ndërmend të zgjidhni mes dy lloj trekëndëshash, le të mbajmë atë me bazën poshtë dhe këndin Rama lartë. Ngado që ta rrotullosh ai prapë Trekëndësh mbetet, kurse oligarkët, organizatat kriminale, bizneset e familjarëve, të ndjekësve dhe financuesve të Rama-Berisha-Metaj, po njësoj do të jenë; bashkë mbi Karusel. Ose po lejuam që të na zbresin, do të jemi bashkë në SPAK dhe akoma më keq, te burgu VIP i Reçit.

Le të marrim një shembull; Tiranën. Si Erion Veliaj si Belind Këlliçi të zgjidhet në krye të saj, Shefqet Kastrati, Samir Mane, Bashkim Ulaj, Shkëlqim Fusha, Pëllumb Salillari dhe të tjerë, njësoj do të vazhdojnë të marrin leje ndërtimi dhe punë publike në kryeqytet.

Që nga dekonspirimi që Basha i bëri Trekëndëshit, në Tiranë janë hedhur rreth 2 milion metër katrorë beton të tjera. Nëse ndjekim paranë, lejet për ta bërë këtë, kullat, komplekset me pallate, rrugët e punë të tjera të bashkisë, atëherë një llokmë të madhe mund ta gjesh kollaj te lista e të ftuarve të dasmës madhështore të djalit të Sali Berishës.

Nëse vazhdon edhe më thellë dhe zhbirilon se ku i ka vilat apo shtëpitë e dyta dhe të treta enturazhi i Foltores dhe Partisë së Lirisë, dalim te i njëjti shteg. Se pazaret, ndarja e llokmës, bëhet në majë të “Kodrës së Diellit”, (ku jeton Veliaj, Ilir Metaj e shtabi i Berishës), apo diku tjetër ku do të ketë rezidencën Këlliçi, për Tiranën dhe qytetarët e saj nuk ndryshon gjë.

Aty ku duhej të kishte trotuare, parqe për fëmijë e pensionistë, shkolla, çerdhe, rrugë për të lehtësuar trafikun, sërish do të vazhdojë që të derdhet beton nga të njëjtët që i kanë hipur Karuselit.

Erion Veliaj i dërgoi haber Sali Berishës nëpërmjet një gazetari të tij, për atë se çfarë i kishte thënë në zyrë ambasadorja Yuri Kim. Edi Rama vetë deklaron në parlament se; “Autobusë që paguhen nga puna e ndershme e personit Z,(Zen Berisha), e personit Y, e personit M. L dhe të disa personave të tjerë të lidhur me ta përmes ruletave që po mbikëqyr Europoli…… Tani që flasim, përmes personit ZH i cili i lidhur me një person Z, (Zen Berisha), kanë gjetur rrugën që të shkojnë te lali që është personi EV, (Erion Veliaj)”, (Minuta 32 te fjalimi në parlament për mocionin McGonigal).

Vetë Sali Berisha e pranoi se sallat për të ngritur dhe fuqizuar Foltoren anti-PD dhe antiamerikane, ja kanë vënë në dispozicion falas kryebashkiakët e Ramës!

Nuk mbaron lista që tregon se brenda tre brinjëve të Trekëndëshit lëvrin gjithë historia e korrupsionit dhe parasë së madhe, e cila bëhet në kurriz të mbi 90% të shqiptarëve. Por ka shumë besim që të paktën për Tiranën, kandidati i Partisë Demokratike Roland Bejko dhe shtabi i tij elektoral, (ashtu si ka premtuar), do ta shtjellojë në detaje këtë ngjizje, pasi faktet janë sheshit në formë kullash, kompleksesh gjigante me pallate dhe lidhjesh të hapura dhe të fshehta.

Ndaj kur themi Edi Rama-Sali Berisha-Ilir Metaj, na del Trekëndëshi i Bermudës edhe nëpër billborderat që kanë pushtuar çdo qytet. Kurse kur shohim Trekëndëshin duhet që të kuptojmë Karuselin, ku kanë hipur ata të tre.

Me gjithë oligarkët, mediet, organizatat kriminale, “non gratat” majtas e djathtas, familjarët e bashkëpunëtorët. Mbi të gjitha me rreth 40 miliard euro që u mungojnë shqiptarëve në këto 32 vite, ndërkohë që ata vazhdojnë dhe bëjnë festë e miliona të hipur mbi Karusel dhe mbi kurrizin e Shqipërisë!/Alfapress.al

Latest articles

Related articles