Zgjedhjet në Elbasan – Ekspertët: Klani i Suel Çelës po punon kundër Edi Ramës. Basha e akuzoi se mblodhi firmat për Foltoren

Këtë të premte, (14.4.2023), eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço i ftuar në “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, me përfaqësuesin politik të PS-së në Elbasan, Damian Gjiknurin, (ka zëvendësuar Taulant Ballën), tha se organizatat kriminale në këtë qytet kanë ndryshuar kahët politikë. Sipas tij në këto zgjedhje lokale ndryshe nga ato të 25 prillit 2021, Elbasani futet në zonat me risk të ulët për sa i përket ngjarjeve kriminale me sfond elektoral pasi duket se ka një “pakt paqeje”.

Por çfarë ka ndodhur ndërkohë që prej të gjithëve ndihet se rezultatet elektorale në këtë qytet, tradicionalisht kanë qene të ndikuara fortë nga ndërhyrja e organizatave kriminale të fuqishme aty?

Ditët e fundit u dha lajmi i bujshëm se reparti special RENEA zhvilloi një operacion të beftë dhe natën, (Zgjati plotë 6 orë), në Tregun Agro-Ushqimor të qytetit, i cili edhe pse me emrin e babait, Petrit Çela, mbahet si baza kryesore e shumë të kërkuarit Suel Çela.

Marjul Lulaj, ose siç njihet tashmë Suel Çela, prej kohësh është në kërkim pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili zbardhi për prokurorët e SPAK një listë të gjatë me emra të botës së krimit, që porosisnin te ai vrasje me pagesë për kundërshtarët. Ndër të tjera ai rrëfeu, se edhe nga Sule Çela kishte marrë porosi për dy vrasje nga ai.

Kush është Suel Çela dhe cilat janë lidhjet e tij politike?

Suel Çela është djali i Petrit Çelës, pronari i tregut ushqimor në Elbasan dhe biznesmen i njohur në këtë qytet. Nga PD, ai është akuzuar për lidhje të forta me ish-kreun e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Lidhja Sejdini-Çela, sipas denoncimeve në kohë të ndryshme të Partisë Demokratike, përforcohej edhe nga lidhja dhe bashkëpunimi në grup të strukturuar kriminal mes Suel Çelës dhe Sokol Sanxhaktarit, ky i fundit dhëndrri i ish-kryebashkiakut.

Në vitin 2017, fill pas incidentit të bujshëm me policinë tek tregu ushqimor, në media doli lajmi se policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë referuar në atë Prokurorinë e Krimeve të Rënda materiale dhe dokumente, ku përmenden hotele dhe biznese që dyshohet se u përkasin familjeve Çapja dhe Çela. Asokohe thuhej se do të verifikoheshin pasuritë e Petrit Çelës, ku përfshihen Tregu Agro-Ushqimor, shtëpi, vila dhe dyqane në qytetin e Elbasanit.

Edhe pse u tha se kanë nisur hetimet, pasuritë e tyre nuk u preken asnjëherë. Kontrolli i dytë i pasurisë së Suel Çelës mbërriti në fillim të 2020 në kuadër të OFL-së. Se çfarë ka gjetur OFL në këtë hetim të dytë, zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë, por dosja në ngarkim të tij ishte në listën e dosjeve që u dorëzuan në SPAK për hetime të mëtejshme.

Në nëntor të 2016, në zyrën e Saimir Tahirit mbërriti një letër nga fisi Çapja që i shpjegonte të gjithë lidhjen e Qazim Sejdinit me një grup të fuqishëm kriminal në trafikun e drogës dhe që vihej nën akuzë për disa vrasje.

Anëtarët e tij i kërkonin të hetonte këtë grup kriminal si përgjegjës për masakrën e fillim-shkurtit 2016 me 3 të vrarë e 8 të plagosur nga fisi i tyre. “Ky grup – shkruhet në letër – ka lidhje familjare me Qazim Sejdinin dhe gëzon mbështetje dhe mbrojtje të fortë politike prej tij”.

Çelajt dhe njerëzit e tyre kanë qenë mbështetës të rregullt të socialistëve në fushata zgjedhore. Në çdo fushatë të viteve të fundit, Partia Demokratike i ka akuzuar për aktete dhune, presionin, blerjen e votave dhe kërcënimet me armë ndaj militantëve të opozitës.

Atëherë përse RENEA u dërgua në Elbasa për të kontrolluar pronën e familjes Çela duke bërë reprezalje për rreth 6 orë pa kapur shumë të kërkuarin, tani në nisje të fushatës së 14 Majit?

Sipas gazetarin Artan Hoxha, RENEA po ushtron presion ndaj Suel Çelës, sepse ai nuk po punon më për Partinë Socialiste. Operacioni i forcave speciale sipas tij, tregon se ekuilibrat politikë të krimit në Elbasan, kanë ndryshuar që nga zgjedhjet e shkuara.

“U kontrolluan ambjentet e tregut, që tregtarët kanë ambjentet me qera. Dhe banesat e familjes Çela që ndodhet afër. Për 6 orë RENEA u instalua aty. Oficerët kërkuan se mendojnë se mund të ketë ndonjë pjesë të përshtatur, tunele të nëndheshëm, ndonjë zgavër të fshehur diku. U kërkua edhe me pajisje speciale për t’u bindur se Suel Çela nuk gjendej aty. U shoqëruan të gjithë. Suel Çela nuk u gjet. Por kjo ngjarje ka një domethënie tjetër. Cila është domethënia? Se ndryshe nga fushata e kaluar kur opozita e akuzonte Suel Çelën për lidhje dhe mbështetje me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Rama, kësaj radhe Suel Çelën nuk e akuzon më njeri. Madje përkundrazi, nga mazhoranca aludohet se Suel Çela po mbështet opozitën. Dhe ky veprim duket se i çon një mesazh Suel Çelës, që vërtet nuk je arrestuar, por nëse na vihesh kundër, ne të godasim me të gjitha mjetet që kemi”, tregoi Artan Hoxha.

Por nëse Suel Çela nuk po punon më për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste në këto zgjdhje, në krahun e kujt ka kaluar?

Lulzim Basha e kishte denoncuar sistematikisht dhe prej kohësh Suel Çelën se kishte punuar për socialistët me armë në dorë. Por në nëntor të vitit 2021, ai hodhi akuza për shërbimin që ai po i bënte Sali Berishës. Ishte koha kur Foltores i duheshin firmat e demokratëve për Kuvendin e 11 Dhjetorit.

“Kam thënë që kurrë nuk mund ta besoj. Suel Çelën e kam përmendur që nga 2015 deri te presionet para 25 prillit. Këta janë ushtarët e Edi Ramës. Janë autorë dhe ekzekutorë të masakrës zgjedhore. Kam thënë që është në nderin e Berishës të distancohet tani që faktet janë bërë publike. Që demokratët, që gjithë Elbasani e ka marrë vesh. Janë përfshirë në marrjen peng deri në krerët e grup seksioneve në kullën e tij te tregu”, denoncoi atëherë Basha.

Edhe pse këto akuza u mohuan nga Sali Berisha, duket se organizata e Çelajt pas “suksesit” me Fotoren dhe përçarjen e PD-së në Elbasan, tashmë është pozicionuar në Elbasan në krah të kandidatit të Berisha- Metajt, Luçiano Boçi.

Siç thotë edhe gazetari Artan Hoxha, tani këtë aleancë e dinë edhe ish tutorët e mëparshëm politik të Çelës, ndaj edhe po e shantazhojnë dhe paralajmërojnë duke i dërguar RENEA-n. Mësohet se Suel Çelaj pasi nuk ka marrë dot garanci nga socialistët se do ti mbyllet çështja me SPAK që kontrollohet nga amerikanët, ai ka vendosur që të investohet për zgjedhjet e 14 majit te lëvizja e Sali Berishës, kreu të cilës nuk e njef fare Prokurorinë e Posaçme dhe ka premtuar se kur të vijë në pushtet do ta zhbëjë drejtësinë e re.

Latest articles

Related articles