Çfarë dmth bashki, z.Ndreu? – nga Indrit Vokshi

Nga Indrit Vokshi

Pjerin Ndreu ka qenë deputet i PS në 2015 kur Edi Rama ka deklaruar publikisht se kush voton kandidatët e PD e nuk voton kandidatët e qeverisë në bashki, ta dijë se bashkisë nuk do i japim fonde.

Ky është lloj aparteidi, diskriminim siç iu bënin dikur në Afrikën e Jugut. Paratë nuk ishin e nuk janë të Edi Ramës, janë të popullit shqiptar.

Ska guxuar t’i thotë Edi Ramës: “Prit, ndalo, cilindo që të votojë populli i Lezhës, fonde Lezhës dhe cilësdo bashki, duhet t’i jepen.” Nuk kanë mundur t’i flasin satrapit i cili ishte i frymëzuar për të shkelur kundërshtarët me çdo mjet, si sunduesit e vendeve diktatoriale e primitive.

Ndaj sot del pak “off side” kur akuzon 4 vjeçarin “2015-2019” në Lezhë sepse kryeministri i tij është autor i dënimit politik të Lezhës me mungesë investimesh.

Për shumicën e punëve të munguara duhet t’i kërkojë llogari Edi Ramës i cili, Lezhës historike, ekonomike e demografike, i ka dhënë fonde sa Roskovecit.

Politika do guxim për të folur. Vetëm guximi na jep legjitimitet.

Sot kryebashkiaku flet me gjuhë përjashtuese e militanteske, “kundër atyre”? Kush janë “ata” ndonjë popull armik që duhen segreguar e rrethuar në internim? Duhet të heqim dorë nga mendësia diktatoriale.

Jo vetëm kryebashkiaku por edhe opozita, duhet të flasin me gjuhë përbashkuese. Sepse Lezha sot ska nevojë për zhargonin përçarës militantesk të udhëheqësve legjendarë. Nuk është më Lezha e 1998. Në 15 vjetët e fundit është bërë qendër ekonomike e Veriut, prandaj ka nevojë për mentalitet të ri në menaxhim.

E bashki dmth bashkim, dmth përbashkim i individëve, pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht kritikës se secilit për secilin. Kjo dmth Bashki.

Gjuha përçarëse, linçuese e akuzatore, nuk quhet bashki, sepse nuk sjell bashkësi e bashkim. Sjell përjashtim, “ne, kundër atyre”.

Megjithatë, Pjerin Ndreu kot bën luftë me të shkuarën. Askush nuk po tenton ta përsërisë të shkuarën në Lezhë. Sot po tentohet një kapitull i ri e krejt ndryshe për Lezhën. Sot e shkuara është vetë Pjerin Ndreu, i cili nuk duhet të përsëritet.

Por gjithsesi pas 14 majit, në logjikën e bashkësisë e bashkimit, duhet të respektohet si e shkuar.

Latest articles

Related articles