Kardinali shqiptar Ernest Simoni: Pashkët, me Papën

Të dielën e Pashkëve 2023 kardinali shqiptar Ernest Simon do të jetë me Papën Françesku në lozhen e Bazilikës së Shën Pjetrit, për bekimin Urbi et Orbi

R.SH. / Vatikan

Do të jenë Pashkë të paharrueshme për kardinalin 94-vjeçar, Ernest Simoni, prift i persekutuar nga regjimi komunist shqiptar, i cili prej vitesh jeton në Firence, qyteti që e bëri bir në shpirt dhe i dha Vulën e Paqes. Të dielën do të jetë me Papën Françesku, në lozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit për bekimin Urbi et Orbi – Romës dhe Botës.

“Emocion i jashtëzakonshëm me marrë lajmin e shoqnimit të Atit  Shêjt në bekimin Urbi et Orbi, si kardinal diakon – buzëqesh kardinali – lê ma me kremtue të dilen e Pashkëve në atë balkon, nga i cili, gjatë historisë së Kishës, shumë Papë i kanë drejtue lutje dhe bekime botës mbarë” (…)

Do të jenë Pashkë të paharrueshme për kardinalin 94-vjeçar Ernest Simoni, pra.

Përvojë kjo, që do t’ia zgjasë jetën prelatit të moshuar, ardhur nga Shqipëria martire e krijuar kardinal nga Papa, pikërisht për shkak të dëshmisë së fesë, dhënë gjatë 28 viteve burgimi dhe pune të detyruar, nga viti 1963 deri më 1991. E kush do ta besonte kur diktatura korrte e grinte, kryekreje meshtarët, se njëri prej tyre do të ngjitej një ditë të lumnueshme Pashkësh, aty ku ngjiten përfaqësusit më në zë të krishterimit? “Armiku i popullit” i akuzuar se kishte kremtuar Meshë për pushimin e pasosur të Presidentit katolik John Fitzgerald Kennedy,  vrarë në Dallas në vitin ’63. E, për më tepër, duke ndjekur porositë e Papës Pali VI,  kishte predikuar se ia vlente, nëse ishte e nevojshme, të jepte edhe jetën për Krishtin.

“Kur isha në burg – kujton – e zbardhte agimi, nuk e dijshim a do ta shihshim ma diellin në perëndim mbas ditës të kalueme me tortura, ngacmime, dhunë dhe marrje në pyetje – ku na kërkohej të trathtojshim deri përmbajtjen e rrëfimeve. Gjatë ndalimit në kampet e punës, në minierat ku nxirrnim bakër dhe pirit, po të kishte ra një gur në tunele, të gjithë do të fluturojshim në Parriz, njeni-mbas-tjetrit, tue pasë parasysh kushtet e pasigurta në të cilat kemi punue, pa asnjë siguri apo mbrojtje”.

Kjo, jeta e kardinalit! Megjithatë, kurrë nuk e humbi shpresën: “Nuk do ta kisha besue kurrë se mbas aq shumë goditjesh, dhimbjesh mizore të shkaktueme prej zinxhirëve që m’i shtrëngonin tmerrësisht kyçet, mbasi më kishin heqë lirinë e, mbi të gjitha, pa mujtë me ushtrue shërbimin e priftit për t’i shërbye njerëzve dhe për të shpallë Lajmin e Madh të Shëlbimit, do të jetojshe tashti ditë kaq të bukura, të pasuna me dhanti shpirtnore në shërbim të besimtarëve, për pshtimin e shpirtënve. Nuk e kisha mendue kurrë se do të merrja Mitrën e kardinalit, dhuratë e madhe e papritun, dhuratë, që nuk do ta heq kurrë ma. Nuk më mbetë tjetër, veçse me e falënderue me gjithë zemër Papën Françesku; të lutemi për Atin e Shenjtë, që Zoti t’i japë forcë dhe shëndet në shërbesën e tij universale, si pasardhës i Shën Pjetrit”.

Latest articles

Related articles