Kryeministri i vendit, Edi Rama, pas mbledhjes së qeverisë njoftoi rritjen e pagave për disa kategori të shoqërisë, duke nisur nga mësuesit, zjarrfikësit, pedagogët dhe infermierët. Ai përmendi shifra konkrete, ndërsa tha se pas një viti paga mesatare në sektorin publik do jetë në 900 euro.
“Detyra jonë është t’u japim shqiptarëve maksimumin e produktit të reformave. Paga e mësuesve në sistemin e ulët nga 49 në 81 mijë lekë, apo tu them mësuesve në arsimimin e mesëm do të shkojë mbi 100 mijë lekë. Në arsimin e mesëm nga 74-95 mijë. Të gjitha këto janë shifra bazë, pastaj vjetërsia e punës dhe kohëzgjatja në detyrë dhe niveli i kualifikimeve bëjnë që gjërat të jenë edhe më mirë. Një rritje të konsiderueshme pedagogëve të gjithë sistemit universitare me 20%, duke iu dhënë diskrecion që ata të shkojnë në 30%, sepse ato janë autonomë. Infermierët do të kapin bazën prej 87 mijë lekësh dhe kjo bazë shkon përtej 90 mijë lekësh, sipas pozicioneve në punës. Rrisim pagat për sistemin e sigurisë dhe të zjarrfikësit. Pagën e zjarfikësve do ta çojmë në 80 mijë lekë. E gjitha kjo do bëhet me dy hapa, tani me mësuesit, sigurinë, mjekët dhe infermierët menjëherë dhe hapi i dytë do jetë prilli i ardhshëm që do bëjmë plotësimin e kuadrit dhe do arrijmë 900 euro pagë mesatare”, tha Rama.