Nga Lulzim Omuri
Sipas të dhënave të reja të publikuara nga Eurostat të rinjtë shqiptarë kanë nivelin më të ulët të të ardhurave të disponueshme në Europë.
Të dhënat e publikuara nga agjencia evropiane e të dhënave shikuan standartin e fuqisë blerëse të qytetarëve europianë (Price Per Share) të vlerësuar nga të ardhurat mesatare ekuivalente të disponueshme. Në vitin 2021, të ardhurat mesatare të disponueshme në BE ishin 18,019 PPS për banor në BE, duke arritur në 32,132 në Luksemburg dhe vetëm 4,385 PPS në Shqipëri.
Kjo shifër barazohet me rreth 26% të mesatares së BE-së dhe konvertohet në rreth 2,594 € ose 299,000 lekë në vit.
Në Ballkanin Perëndimor të gjitha vendet ja kaluan Shqipërisë : Maqedonia e Veriut, 5.421 PPS, Serbia me 6,410 dhe Mali i Zi me 6,050 PPS.
Është e qartë arsyeja e eksodit masiv të të rinjve shqiptarë në vitet e fundit.
Numri i shqiptarëve, për më tepër të rinjve që kalojnë Kanalin drejt Britanisë së Madhe duke rrezikuar çdo ditë jetën e tyre është treguesi më alarmues i këtyre shifrave.
Të rinjtë shqiptarë kërkojnë dëshpërimisht zgjidhje jashtë Shqipërisë, sepse këtu, çdo fije shprese ju ka humbur.
Ka shumë lloje luftrash.
Lufta e vështirë e të rinjve shqiptar është me të ardhmen e pasigurt.
Pasiguri në punë, në përditshmëri, pasiguri për të krijuar familje, për të blerë një apartament.
Është e dhimbshme, të dëgjoj me dhjetra të rinj, për të cilët, arsyeja e vetme që i mban në Shqipëri është mungesa e mundësisë.
Nuk i mban as familja, as dashuria për vendin, as shpresa se do të ndryshojë, por thjesht mungesa e mundësisë për të emigruar jashtë.
Kjo, mbetet alarmi më i madh i kësaj shoqërie.
Nuk mundëm dhe nuk po mundemi të hedhim baza të shëndosha për të krijuar një jetë të sigurt në Shqipëri për fëmijët tanë.
Dhe nëse kjo nuk është beteja më e madhe e Shqipërisë në vitet e tranzicionit, çfarë mund të jetë tjetër?