Shqipëria dhe SHBA ndajnë shumë të përbashkëta përfshirë dhe faktin që asnjë shtetar i lartë nuk është dënuar asnjëherë. Akoma më keq, asnjë nga shtetarët e lartë me peshë të madhe (pra president apo kryeministër) nuk janë hetuar apo dërguar përpara drejtësisë. Fatkeqësisht, Shqipëria mbetet e vetme në këtë garë pasi mbrëmë SHBA ka dërguar para gjykatës presindetin e 45 të saj, Donald Trump.
Në vende të tjera, një ngjarje e tillë ka ndodhur; në Francë ish presidenti Sarkozy është dënuar, në Itali proceset e gjata ndaj Silvio Berlusconit janë domethënëse dhe mbi të gjitha dënimi i Craxit është dëshmi e fuqisë së drejtësisë.
Shtetet ku sundimi i ligjit është ai që drejton vendin kanë një parim të cilin përpiqen ta zbatojnë deri në fund; barazinë përpara ligjit. Për sa kohë të gjithë qytetarët e dinë që ata janë të barabartë përpara ligjit për aq kohë dhe respekti i tyre ndaj qeverisë dhe institucioneve është i lartë. Arrestimi i Trump është dëshmi e sundimit të ligjit në SHBA dhe përtej qasjeve partizane të njërës palë apo tjetrës është dëshmi e fuqisë së institucioneve në SHBA.
Në Shqipëri, besueshmëria në këto institucione është shumë e pakët. Arsyet e kësaj sjellje mund t’i gjejmë sa në gjendjen e rënduar që demokracia jonë ka kaluar pas 3 dekadave korrupsion, shkatërrim dhe plaçkitje. Mirëpo gjërat mund të ndryshojnë për mirë.
Që prej nisjes së Reformës në Drejtësi, vendi ka nisur një proces përplasje që po konsumon fuqi dhe forca të mëdha të qytetarëve. Partia Demokratike sot është në një krizë të thellë dhe gjendje kritike pasi SHBA vendosi që të shpallë nongrata Sali Berishën, e morri këtë akt pasi përfundoi me sukses operacionin “Reforma në Drejtësi”. Me SPAK të ngritur dhe me mbështejen e BKH, vendi tani do të duhet të përballet me pasojat e një operacioni të fortë që do të godasë si qeverinë ashtu dhe lëvizjen opozitare anti-amerikane.
Nëse Rama sulmon SPAK njësoj sikundër bën Sali Berisha apo dhe Ilir Metaj, kjo vjen nga frika e të treve se parimi i barazisë përpara ligjit mund të zbatohet dhe në Shqipëri. Në kushte të tilla tragjeditë e Gërdecit apo fshehja e pasurive në kompani offshore madje dhe pagesat për zyrtarë të huaj për t’i korruptuar janë vetëm një nga shumë shkeljet që hetohen. Zullumi është aq i madh saqë Shqipëria do të duhej të kalonte kriza të shumta për t’u konfirmuar sundimi i ligjit duke mposhtur atë që njihet si sundimi i bandave-oligarkëve.
Kjo e fundit është një tjetër arsye se përse treshja më famëkeqe e tranzicionit në rajon po kap për fyti çdo zë të PD-së për të mos folur. Tmerri i tyre është SPAK pasi frika e tyre është sundimi i ligjit. Ato për vite me radhë kanë kontribuar me pasion dhe dedikim të paimagjinueshëm në krijimin e një platforme politike për të korruptuar dhe shantazhuar më vonë këdo që mund t’i vendosë bastunin në rrota.
Ajo që shqiptarët mësuan dje është se edhe presidenti vendit më të fuqishëm në botë mund të shkojë përpara drejtësisë. Ato që shqiptarët presin sot është që kryeministra dhe presidentë të vendit të shkojnë përpara SPAK për të dhënë llogari për shkatërrimin e një vendi ashtu që feudi i tyre të ishte i padiskutueshëm. Prandaj shumë presin nga SPAK duke e menduar atë ndoshta si opozitën e vetme në Shqipëri sot për sot.