Prezenca e OSBE-së mundëson bashkëpunimin mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit “Demokriti” të Trakës

Më 4 prill 2023, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti “Demokriti” i Trakës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, të mundësuar nga Prezenca e OSBE-së, në mjediset e universitetit grek.

Memorandumi i mirëkuptimit synon të rregullojë bashkëpunimin mes dy universiteteve për shkëmbimin e dijeve dhe teknologjisë, përmes programeve dhe kërkimit të aplikuar, veçanërisht në fushën e kriminologjisë. Po ashtu, ai parashikon shkëmbime të stafit akademik dhe teknik, shkëmbimin e studentëve, stazhe dhe specializime, organizimin e vizitave studimore, seminare, konferenca, botime dhe veprimtari të ndryshme shkencore.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, i cili nënshkroi marrëveshjen me homologun e tij grek Dr. Fotios Maris, tha: “Vlerësojmë që, së bashku me Prezencën e OSBE-së, si mbështetëse e disa nismave të ndërmarra së fundmi, ky bashkëpunim do të ndikojë më tej në përmirësimin e veprimtarive akademike, në mbështetje të studentëve dhe të personelit të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Ky fakultet luan një rol të veçantë, ndër të tjera, në drejtim të ecurisë të reformës në drejtësi dhe në zhvillimin e strategjive dhe veprimtarive në luftën kundër krimit në përgjithësi, krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti, që ndikohen edhe nga rritja e kapaciteteve nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit “Për ngritjen e një programi master në kriminologji”, i cili mbështetet financiarisht nga Byroja e Shteteve të Bashkuara për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit. Prezenca e OSBE-së e zbaton këtë projekt në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë dhe me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Menaxherja e projektit, Alba Jorganxhi, tha: “Prezenca mbështet bashkëpunimin mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit “Demokriti” të Trakës për të rritur kapacitetet kërkimore të profesionistëve shqiptarë të drejtësisë penale, akademikëve dhe politikëbërësve në parandalimin dhe luftën kundër krimit. Bashkëpunimi rajonal në fushën akademike dhe atë të kriminologjisë mundëson arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare të shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut”.

Në veprimtari morën pjesë edhe dy zëvendësrektorët e Universitetit “Demokriti” të Trakës, dekanët e fakulteteve të drejtësisë të të dyja universiteteve, si dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik. Ajo u pasua nga takime të përbashkëta me profesorë e studentë të Universitetit “Demokriti”.

Programi Master në Kriminologji – i krijuar në dhjetor 2020 me nismën dhe mbështetjen e Prezencës së OSBE-së – u mundëson studentëve të eksplorojnë ndërlidhjet mes krimit, drejtësisë dhe shoqërisë, në kontekst krahasues, si edhe promovimin e drejtësisë restauruese për viktimat dhe përgjigjet me në qendër viktimat. Kurrikulumi i tij gjithëpërfshirës dhe i integruar mundëson karrierën në fusha të ndryshme të sistemit të drejtësisë. Përmes programit master, Prezenca synon të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në Shqipëri në identifikimin e shkaqeve rrënjësore të krimit.

Latest articles

Related articles