Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë ka zhvilluar tenderin me objekt “Blerje biçikleta për institucionin”.Shumëkush do mendoj se biçikletat e kërkuara janë të thjeshta, por po të hysh pak më në brendësi të dokumentave të tenderit kupton se bëhet fjalë për 50 biçikleta elektrike. Fituese u shpall shoqëria A.K.M ALBANIAN INVESTMENT GROUP shpk. me ofertë 63.8 milionë lekë ose sa 97% e vlerës së fondit limit. Në tender morën pjesë dy operatorë. Diferenca e ofertës së shpallur fituese me ofertën më të ulët, e cila u skualifikua ishte 4.3 milionë lekë. Çmimi i blerjes së një biçikletë elektrike nga Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit Bashkia Tiranë është 1.27 milionë lekë. Emisioni investigativ “Xhadat” publikoj fakte konkrete se si në këtë tender fituesi, i cili paraqiti ofertën më të lartë, ishte paracaktuar. Një nga kriteret e vendosura në tender ishte paraqitja e dëshmisë për realizimin e kontratave të ngjashme në sektorin publik.Në vitin 2021 Ujësjellës Kanalizime Tiranë, ndërmarrje po në varësi të Bashkisë Tiranë ka blerë tek e njëjta shoqëri A.K.M ALBANIAN INVESTMENT GROUP shpk 40 biçikleta elektrike. Përmes të dhënave të gjetura online në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Xhadat” zbuluan zyrat e shoqërisë A.K.M ALBANIAN INVESTMENT GROUP, e cila është shpallur fituese e tenderit për blerjen e biçikletave elektrike nga ana e I.M.T Bashkia Tiranë pak ditë më parë dhe tenderit me të njëjtin objekt realizuar në vitin 2021 nga Ndërmarrja e UKT. Kjo kompani shet vetëm një model biçiklete elektrike. Dhe çmimi me pakicë për një biçikletë është 900 euro. Sipas një llogarie të thjeshtë, një biçikletë me pakicë sipas asaj që zbardhet nga kamerat e fshehta të emisionit “Xhadat” kushton 1 milion e 18 mijë lekë , ndërsa Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit pranë Bashkisë Tiranë e ka blerë 1 milion e 270 mijë lekë.Pra diferenca mes çmimit të një biçiklete me pakicë dhe një biciklete të blerë nga Bashkia Tranë me tender dhe me shumicë është 252 mijë lekë. Për 50 biçikleta elektrike , kjo diferencë bëhet 12,6 milion lekë.
Në të njëjtën kohë me blerjen e 50 biçikletave elektrike me vlerë 1.27 milionë lekë për cope dhe vlerë totale 63.8 milionë lekë, Inspektorati I Mbrojtjes së Territorit, BashkiaTiranë ka shpallur edhe fituesin e tenderit për marrjen me qira për 3 vjet të 12 automjeteve elektrike.
Fitues është shpallur operatori i vetëm në garë, CLASSIC shpk, i cili i sigurtë për mungesën e konkurrencës, ka dhënë një ofertë gati sa 100% e vlerës së fondit limit, 374 milionë lekë . Çmimi për njësi e një automjeti elektrik të marrë me qira për një periudhë tre vjeçare nga IMT, Bashkia Tiranë është 31.2 milionë lekë, vlerë kjo gati e barabartë me shitjen e një makine të tillë në treg.
Sa i takon burimit të financimit, në dokumentat e tenderit thuhet se paratë janë vënë në dispozicion nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë me anë të një vendimi të dhjetorit 2022 “Për Miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2023-2025 dhe detajimin e buxhetit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë, për të njëjtën periudhë.
Pra vetëm për marrjen me qira për tre vjet të 12 automjeteve elektrike dhe blerjen e 50 biçikletave elektrike Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit në Bashkinë Tiranë ka shpenzuar në total 437.8 milionë lekë.