Konfidencialisht për “Gazetën Si” burime pranë FSHP-së na kanë bërë të ditur, se është tentuar disa herë nga autoritetet që të lejohej ekipi Iranit. Për këtë ka patur një kërkesë nga Federata Botërore e Peshëngritjes, e cila në qytetin e Durrësit gjatë organizimit të Botërorit, zhvilloi edhe mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv.
Por autoritetet e sigurisë në Shqipëri ishin të prera në qëndrimin e tyre, duke i sjellë një humbje prej rreth 60 mijë eurosh buxhetit të këtij aktiviteti, që lidhen me akomodimin, transportin ushqimin dhe gjithçka që i duhet për të qëndruar këtu rreth një javë, apo më shumë një ekipi prej rreth 38 personash.
Tentativat e dështuara për të gjetur një rrugëzgjidhje kanë krijuar një valë të tensionuar komunikimesh mes FSHP-së dhe Federatës Iraniane të Peshëngritjes, e cila ka përfunduar me acarimin e palës iraniane, ku mes të tjerash në emailin e fundit, pasi kanë kuptuar se përpjekjet ishin të kota, shkruanin: “Ju mbeteni një vend komunist…”
Si pasojë, veç Rusisë dhe Bjellorusisë, dy kombëtare të pezulluara nga të gjitha federatat ndërkombëtare sportive për shkak të luftës ndaj Ukrainës, ndërprerja se marrëdhënieve diplomatike të vendit tonë me Iranin, që nga muaji shtator i vitit të shkuar, solli edhe përjashtimin e përfaqësueses së Iranit nga Botërori i Peshëngritjes që u zhvillua në Shqipëri.