Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar do të vizitojë Tiranën në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit. Mësohet se zyrtari i Departamentit të Shtetit, njëherësh i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor do të mbërrijë në Tiranë në datën 11 prill e do të qëndrojë deri në 13 prill.
Vizion plus ka mësuar se gjatë qëndrimit në Shqipëri, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar do të takojë presidentin e republikës Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Gjithashtu si përfaqësues të Partisë Demokratike ai do të takojë, Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin e Jorida Tabaku.
Ashtu siç pritej Escobar nuk do të ketë takime me asnjë përfaqësues nga demokratët që mbështesin Sali Berishën, pasi qëndrimi i amerikanëve është përsëritur disa herë, ata nuk do të takohen e nuk do të bashkëpunojnë me një politikan të shpallur non grata për korrupsion madhor e minim të demokracisë.
Hera e fundit që Escobar vizitoi Tiranën ishte në prillin e vitit të kaluar kur ai shoqëronte ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit për çështjet europiane dhe euroaziatike, Karen Donfried.