PS, Gjiknuri: Janë rritur vërtet çmimet në Shqipëri, por nuk po vdes njeri për bukë

Nr.2 i Partisë Socialiste dhe ish-ministri, Damian Gjiknuri thotë se qeveria socialiste po zbaton politikat e duhura sociale, në një kohë kur ekonomia globale po përballet me të papritura.

Gjiknuri mbështeti nismën për rritjen e rrogave dhe dhënien e bonusit për pensionistët. Ai pranoi se çmimet në vend janë rritur si pasojë e inflacionit. Megjithatë, Gjiknuri tha nga foltorja e Kuvendit se sipas tij, në Shqipëri “nuk vdes njeri për bukë”.

“Plaku i vjetër e di shqetësimin, por nuk sulmon direkt, sepse vë këta kasnecët e vegjël. Ju krijoni kakofoni sepse nuk dini si të reagoni. Vetëm këtë vit janë 10 apo 11 mijë lekë të reja që shkojnë direkt në ekonominë e tyre. Çmimi i energjisë nuk lëvizi këtu asnjëherë. Kjo është masë e pastër sociale, unë jam krenar për qeverinë time. Mos hidhni dokra këtu që Shqipëria qenka vendi i dytë apo i tretë më i shtrenjtë në Europë, këto janë përralla. Vërtet çmimet janë rritur, në Shqipëri siç janë rritur kudo, por prap me këtë minimum të ardhurash nuk vdes njeri për bukë”, deklaroi Gjiknuri.

Deputeti i PS, Gjiknuri nuk kurseu ironitë me demokratët duke thënë se duhet të kërkojnë një Shqipëri të stabilizuar për të ardhmen, por kjo vlen për brezin e ri të politikanëve sipas Gjiknurit dhe jo për politikanë si Edmond Spaho, të cilit iu drejtua duke i thënë “ti nuk je për këtë punë”.

Latest articles

Related articles