Kreu i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Altin Dumani deklaroi se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë gjetur prova në kontrollin që iu është bërë vilave të bashkëjetueses të Arben Ahmetajt. Gjatë një takimi me gazetarë, Dumani tha se SPAK ka nisur letërporosi në shumë shtete dhe pret përgjigje.
“Nuk i marrim leje kurrkujt e thërrasim këdo të jetë për ta marrë në pyetje, Arben Ahmetajn apo kushdo që të jetë. Kontrollet janë në dinamikën e hetimit ku grupi vlerësoi se në këto ambiente mund të gjendeshin prova. Kemi gjetur prova. Sekuestro është preventive, masë sigurie me qëllim që mos tjetërsohet pronësia. Në verifikim është çdo gjë. Kemi nisur letërporosi në shumë shtete jo vetëm në një shtet, kërkon kohë, ka që janë përgjigjur ka që janë në proces, hetimi përfshin çdo gjë (përfshirë edhe mundësinë e fshehjes së pasurisë jashtë). Patjetër që do e thërrasim Ahmetajn, nëse do e shikojmë të nevojshme”, tha Dumani në një takim me gazetarët që mbulojnë gjyqësorin në Shqipëri.
Më 8 mars 2023, oficerët e BKH kontrolluan banesën e Erjola Hoxhës, partneres së Ahmetajt në zonën e Gjirit të Lalzit si dhe sekuestruan telefonin e saj. Disa ditë pas kontrolleve, ku u gjetën disa sende me vlerë dhe dokumenta, Ahmetaj dhe Hoxha apeluan në GJKKO duke e konsideruar kontrollin të paligjshëm. Mbrojtja pretendoi se pavarësisht se shtëpia është në emër të Hoxhës, atje jeton edhe Ahmetaj. Ky i fundit është deputet dhe në cilësinë e një ligjvënësi, fillimisht duhet të ishte pyetur Kuvendi për të bërë kontroll në shtëpi.
Por ky fakt sipas tyre u anashkalua ndërsa më tej parashtruan se bashkëjetueses së ish-ministrit nuk iu garantua e drejta për të patur një person të besuar pranë para se të niste kontrolli, ndërsa edhe oficerët kanë bërë pyetje provokuese për sendet që kishin në banesë. Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për veprat penale: “Korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”. SPAK ka sekuestruar disa vila që janë pronë e ish-gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.