Kryeministri grek Kiriakos Micotakis tha se gardhi në kufirin me Turqinë përgjatë lumit Marica (Euros) do të ndërtohet, pavarësisht nëse do të bëhet me para evropiane apo jo, transmeton ANA-MPA. Pas caktimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për 21 maj, Micotakis është në një turne të fushatës parazgjedhore në rajonin e Maqedonisë Lindore dhe Trakisë. Ai theksoi se 4 vite më parë premtoi se ekonomia do të kthehet në dinamikën e rritjes. “Sot Greqia është kampione e rritjes në Evropë, në vitin 2022 patëm 6 për qind rritje”, tha Micotakis. Sondazhet sociologjike që nga aksidenti tragjik i trenit në Tempe treguan një rënie prej 3 për qind të mbështetjes për partinë në pushtet “Demokracia e Re”, por partia ruan një epërsi ndaj opozitës.