Kandidati i Partisë Demokratike të Enkelejd Alibeajt, Roland Bejko është shprehur se nuk do të tërhiqet nga gara për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, edhe pse më 14 maj do të përballet me kolegun e tij demokrat, Belind Këlliçi. I ftuar në ‘Studio Live” në Report Tv, Bejko shprehet se ndaj tyre ka një presion shumë të madh, por shton se po të mos kishte pranuar që të garonte për Tiranën, Alibeaj do të jepte dorëheqjen nga kryesimi i komanduar i PD-së. E po ashtu, shtoi se kryedemokrati Sali Berisha po ushtron “terror” mbi bashkëpunëtorët e tij, por jo direkt tek vetë ai.
“Sot kush nuk është me PD i bie të jetë me Berishën, edhe këto largimet, janë pjesë e presionit, hajde bashkohemi që të mos merrni përgjegjësinë e humbjes, se nuk e përballojnë dot presion, as të 14 majit ku do u thuhet pse humbët ju. Bashkëpunëtorët e mi, janë nën terrorin e dhunës verbale të Berishës. Nëse unë nuk do garoja, Alibeaj do jepte dorëheqjen dhe vula do i shkonte Sali Berishës,”- tha Bejko.
Bejko zbulon edhe propozimin e tij, për 2 nënkryetarët Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi, që të kishin një “primare” me njëri-tjetrin dhe kush dilte i fituar të ishte kandidat i PD-së zyrtare për kryeqytetin në 14 maj, por nuk mungoi as opsioni për të garuar vetëm për Këshillat Bashkiakë.
“Njëra që e donte vetëm këshillat Bashkiak dhe tjetra që të hyhej në zgjedhje me të gjithë kandidatët. Mirëpo, meqë PD më shumë se një vit ka një sulm prej Berishës, një dhunë verbale dhe fizike që 8 janar, fjalori i ashpër i Berishës, gjuha pret më shumë se vetë plumbi apo guri. Në këto kushte erdhi propozimi im, unë i kërkova që një nga drejtuesit e lartë, Tabaku apo Bardhi të bënin një sakrificë dhe të futeshin në garë për bashkinë e Tiranës, fakti që dorëhiqesh tregon që e ke seriozisht kauzën dhe ngroh entuiziazmin. Ata nuk pranuan, preferuan që të mbajnë detyrat e tyre dhe patën qëndrime krejt ndryshe nga kryesia, njëri thonte kandidat për bashki në zona të pjesshme, ku mendohet se do fitonim, nga ana tjetër ishte Tabaku dhe disa deputet të tjerë që të futemi vetëm me Këshillat. Jam kundër, nëse futesh vetëm me Këshillat, t’i asimilon partinë, se nuk ka një udhëheqësh, që të organizojë fushatën dhe të mbledhë votat dhe kështu, duhet një dikush ta udhëheq fushatë, meraku është rezultati në fund, por ne nuk jemi për rezultatin në fund, nuk jemi ndarë me palën tjetër ish PD për çështje rezultati, ne jemi në pozicion mbrojtës që PD të mos mbetet në duar Non Grata. Të thuash Berisha do na anatemojë pas humbjes? Ca kuptimi ka? Dhe andej dhe këtej, ta kemi mirë me amerikanët dhe pastaj jemi dhe me Berishën, kjo nuk shkon. Nëse do ishte futur logoja e PD, do konkurronin 4 flamuj të majtë, Rama, koalicioni i Ilir Metës, do ishte Arlind Qori, një parti e majtë dhe Endri Shabani, nisma Thurje, ky është thelbi i konfliktit,”- shtoi Bejko.