“Alibeaj, në presion të jashtëzakonshëm”, Açka: Aksioni i Berishës ndau PD-në. I jemi dashur si alibi

Për situatën e opozitës në prag të zgjedhjeve të 14 majit u diskutua këtë të mërkurë në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN ku e ftuar ishte Flutura Açka, deputete e Partisë Demokratike.

Deputetja e PD u shpreh se Enkelejd Alibeaj është në një presion të jashtëzakonshëm në prag të këtyre zgjedhjeve pasi është dashur të mbajë një barrë të madhe.

Ka qenë një vit shumë i vështirë për Partinë Demokratike, për të dy krahët e saj. Unë nuk jam aspak dakord që ne të vendosim për një gjë kaq të rëndësishme si hyrja në zgjedhje në orët e fundit, por kemi qenë të detyruar për shkak të këtij viti të vështirë. Kanë qenë 3 rryma që nuk kanë mundur të konvergojnë në një. Cila ka të drejtë? Këtë nuk mund ta gjykojmë tani. E mira e siglës së PD duhet të ishte me kandidatë në të gjitha bashkitë e vendit. Kësaj pjese të PD i është dashur të mbajë një barrë të madhe.

Enkelejd Alibeaj është në një presion të jashtëzakonshëm. Vendimi përfundimtar ka qenë që të ishim me kandidatë në 61 bashki, por kishte një kusht, a janë të përgatitura të gjitha degët? Duhet të kishim dalë me herët me kandidatë. Vula u vendos në anën e pjesës së zotit Alibeaj dhe pjesa tjetër duhet të ishte më tolerante. Oferta për të dalë në zgjedhje me një kandidat ka qenë shumë e sinqertë nga grupi ynë parlamentar”, u shpreh Açka.

Më tej, Açka theksoi se grupimi i Alibeajt i është dashur Berishës si alibi. Sipas deputetes, aksioni i Berishës është përgjegjësi për ndarjen e PD-së.

Përpjekjet tona për të dalë me një kandidat të përbashkët kanë qenë të sinqerta, por ju e keni parë refuzimin e palës tjetër. Unë jam e detyruar të mendoj se ne i jemi dashur zotit Berisha, palës Berishës, si alibi në çdo rast. Fakti që sot nuk dalim me 61 kandidatë do të thotë se e kemi pasur shumë të vështirë të operojmë në këtë terren të rrëshqitshëm, i cili po na kthehet në bumerang. Për mua ka një ndarës i PD-së në dysh dhe ky është aksioni i zotit Berisha. Nuk mund ta anatemosh palën tjetër në mënyrë sistematike si të shitur te Rama. Këtu përfshihem edhe unë, por këtë gjë nuk e pranoj dhe për këtë do të luftoj”, tha deputetja e PD.

Latest articles

Related articles