Analistët dashakeqë kundrejt PD-së, kanë deklaruar se PD nuk pati njerëz që të merrnin përsipër kandidimin. Kjo me qëllim për ta paraqitur PD-në më dobët sesa është, më keq sesa duket.
E vërteta nuk është kjo. Kandidatët ishin të gatshëm por u vendos që të mos kandidoheshin. Sikurse u pa, ka pasur emra të cilët në fund nuk janë regjistruar në KQZ, jo se ska pasur kandidatë.
Ka pasur debate të forta në Kryesinë e PD, ka pasur dy linja të mendimit dhe të gjykimit.
Ka dominuar mendimi që të mos kandidohet në shumicën e bashkive sepse nuk duhet përsëritur 6 marsi 2022.
Pavarësisht çfarë mendimesh ka artikuluar secili, në fund ky ka qenë rezultati. A është vendim i drejtë apo i padrejtë, kjo do të gjykohet më vonë.
Analistët anti-PD, deklarojnë se PD nuk pati kandidatë për ketë arsye: Deri dje e kanë akuzuar PD-në se duke shpallur kandidatë po i shërben Edi Ramës. Tani kur kandidatët nuk janë shpallur, atyre u duhet të mohojnë veten, u duhet të deklarojnë se PD nuk po ndihmon Edi Ramën.
Ngaqë e kanë të vështirë të tërheqin mbrapsht akuzat monstruoze dhe të padrejta kundër PD, ata kanë zgjedhur të gënjejnë e të deklarojnë se PD nuk pati njerëz.
Le ta ndajnë mendjen: Nëse thonë se duke shpallur kandidatë po i shërbehet Edi Ramës, duhet të thonë edhe se duke mos shpallur kandidatë, nuk ndihmojnë Edi Ramën. Por ata kanë hallin vetëm të sulmojnë PD-në, prandaj bëhen qesharakë.