Zogaj: Një pjesë e opozitës është në betejë me SPAK. Raporti i DASH në dobi të vendit, thotë të vërteta pa skonto

Preç Zogaj, në një lidhje skype në rubrikën “Opinion” në News24, ka komentuar raportin e publikuar ditën e djeshme nga DASH ku janë evidentuar disa nga problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit 2022.

“Në vazhdën e raporteve të përvitshme, tha ai, Raporti i fundit i DASH skanon gjendjen e përgjithshme të Shqipërisë, evidenton ndonjë arritje, por çfarë është më e rëndësishme edhe për publikun, fokusohet te problematikat më të mprehta të vendit gjatë vitit 2022. Që janë korrupsioni, drejtësia dhe mediat. Raporti vë alarmin për korrupsionin e lartë e të përhapur në të gjitha degët e ekzekutivit. Në këtë pikë Qeveria “Rama” nuk ka shënuar përmirësim, përkundrazi, e ka përkeqësuar si asnjëherë tjetër pozitën e vet në raport me SHBA “, tha Zogaj.

“Në tërësi raportet e DASH janë kritike, sepse e tillë është gjendja në vendin tonë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë të jenë një ngjyrosje e realitetit në Shqipëri. Nuk bëjnë skonto amerikanët, as kësaj radhe, për problemet që ka vendi. I tregojnë hapur dhe me objektivitet, kushdo që ta ketë autorësinë a përgjegjësinë”, tha Zogaj

“Raporti mbështetet mbi informacione të një game të gjerë, jo vetëm të një korsije, pohoi ai. “Te ndalemi te media. Në raport shohim të bëhet dallimi mes medias së lirë dhe asaj të pavarur. Raporti thotë se në vendin tonë ka media të lira por jo të pavarura. Raporti konstaton se media është në duar sipërmarrësish që shërbejnë interesat e tyre me ekzekutivin. Kjo nuk mund të jetë media e pavarur. Në raport gjen pasqyrim gjithashtu edhe problemi i hakmarrjes së pushtetit ndaj mediave kritike siç është shembja e “Prestige Resort”.

“Me kënaqësi konstatoj se raporti i bën jehonë qëndrimeve që kanë mbajtur ndaj këtij rasti flagrant gazetarët e analistët objektive. Shembja e këtij resorti cilësor me një të rënë të kalemit, në kuptimin e vendimit, ishte qartazi një akt ndëshkues kundër linjës editoriale të News24, Balkanweb, Panorama.

Nuk ka dyshim se qeveria do paguajë për këtë jo vetëm në aspektin moral, siç po paguan me pasqyrimin në raportin e DASH të rastit, por edhe ekonomikisht. Sepse vendimi është marrë në kundërshtim me ligjet e vendit. Nuk mund të ketë Shqipëria legjislacion që nuk mbron investime kaq të mëdha, në dritë të diellit, që kanë punuar për një kohë të gjatë, pa krijuara asnjë shqetësim.

Buxheti i shtetit do duhet të paguajë një ditë arrogancën e kryeministrit në shembjen e resortit.

Raporti në tërësi është shumë i dobishëm për Shqipërinë , tha Zogaj. Menyra më e mirë për ta zhvlerësuar është leximi me syzet partiake dhe të interesave personale të aktorëve politike, ku secila palë i bën jehonë asaj që i shkon për shtat duke injoruar pjesën tjetër.

Duke permendur dobësitë e sistemit gjyqësor, raporti shënjestron thirrjet kundër institucioneve të drejtësisë. Dhe ne jemi dëshmitarë të fushatave verbale deri me kërcënime kundër drejtësisë. A ka një politikan apo një forcë politike që e gjen vetëm te kjo pjesë e raportit? Padyshim që po. Publiku e di mirë për kë e ka fjalën raporti.

Nga ana tjetër po ky raport bën disa vlerësime pozitive për SPAK. Nuk dëgjova asnjë palë t’i bëjë jehonë këtij paragrafi. Pse? Sepse një pjesë e opozitës është në betejë me SPAK-un, madje i kanë ndryshuar edhe emrin”, tha Zogaj. “Opozita e ka në favor forcimin dhe konsolidimin e SPAK edhe kur godet në radhët e saj. Sepse ne këtë mënyrë e ndihmon të pastrohet. Por kur drejtuesit janë edhe problemi ndodh ajo që në vend që të mbështetet, SPAK sulmohet”.

Latest articles

Related articles