Ky është Rubikoni i të djathtës – nga Vehap Kola

Është viti 49 p.e.s. Në Republikën e Romës, përpara erës së re, Çezari po marshon drejt Romës bashkë me ushtrinë e tij. Kalon Rubikonin, vijën ndarëse ndërmjet Romës dhe Galisë.

Nuk është ajo skena mesjetare tipike e marrjes së pushtetit me dhunë, ku popullsia është e painteresuar për rivalitetin mes politikanëve. Përkundrazi, Çezarin e kërkon vetë populli i Romës.

Senati i çon mesazh Çezarit ku i propozon që ta zgjedhë si një ndër 2 konsujt e senatit. Mandati i konsujve ishte 1 vit.

Gjeneralët që qëndroni pas Çezarit u entuziazmuan: do bëhesh konsull – i thanë, kjo është fitore për të gjithë ne.
Çezari u thotë: burra, zarat janë hedhur. Nëse unë pranoj të bëhem konsull dhe shkoj në Romë, emrin tim nuk do ta mësojë askush përtej brezit tonë. Do të mbetem një konsull i zakonshëm. Ndërsa, nëse vazhdoj marshimin, emrin tim do ta kujtojnë 1000 vite pas meje.

Kanë kaluar 2000 vite dhe njerëzimi nuk e ka harruar emrin e tij. Sot, emri i Çezarit qëndron mes emrave më të njohur në botë.

Është koha që disa politikanë të djathtë të kapërcejnë Rubikonin e rehatisë në listat e sigurta për deputetë, që ua ka garantuar prej vitesh kryetarokracia, dhe të hyjnë në garën politike për bashkitë.

Pikërisht pse e djathta është në pikën e saj më kritike, ka mjaftueshëm argumenta për të kuptuar se ky është momenti i politikanëve të vërtetë. Kjo është edhe koha për të dëshmuar se pjesa më e madhe e aktorëve politikë në të djathtë i përkasin një tjetër kategorie, asaj kategorie që ia ka vënë emrin boll saktë Fatos Nano: njisha për të qenë dysha.

Nëse janë vërtet politikanë, nuk janë zgjedhur aty për të mbajtur kokën pas dhe për të bërë llogaritë politike duke nuhatur drejtimin e turmave. Janë aty për të provuar se mund të influencojnë elektoratin dhe të ndryshojnë bindjet e tij përmes fuqisë së argumentit dhe arsyetimit.

Nëse këtë agjensi e ka vetëm Sali Berisha apo vetëm Enkelejd Alibeaj, atëherë këta nuk kanë asgjë të bëjnë me politikën, por janë thjesht parazitë që duan të ruajnë habitatin e tyre në mëhallën e pushtetit.

Këta, jo që nuk kanë asnjë fuqi për të tronditur Ramën, po nuk kanë as dëshirë. Ndërkohë që rrinë aty duke ruajtur gurin në radhën e kandidimit për deputet me bekimin e kryetarokracisë, vetëm sa provojnë një herë e përgjithmonë se janë kot.

Latest articles

Related articles