Gazetari i njohur zë ngushtë Berishën: Pse nuk flet për Samir Manen, i ftuar në dasmën e djalit

Gazetari i njohur i çështjeve ekonomike, Klodian Tomorri, i shfaqur shpesh edhe në krah të grupimit të Berishës, ka bërë një denoncim të fortë ndaj këtij të fundit.

Nëpërmjet një shënimi në faqen e tij në Facebook, ai merr shkas nga takimi i pak ditëve më parë i Sali Berishës me demokratët e Vlorës, ku foli gati një orë për aferën e madhe të Edi Ramës me Portin e Durrësit, por nuk zuri në gojë një tjetër të ngjashme që është ajo e Portit të Vlorës. Pikërisht në këtë qytet, Berisha nuk guxoi që ta zërë në përmendë këtë grabitje të madhe të kryeministrit në bashkëpunim me oligarkët e tij. Tomorri pasi shpjegon skemën e marrjes së tokës publike në bregdetin e Vlorës, tregon edhe se si një nga përfituesit kryesorë, (si kudo), është kompania Balfin e Samir Manes.

Gazetari në fund të shkrimit thotë se, “një fjalë mund ta thoshte Berisha, se nuk shkon të jesh në Vlorë dhe të flasësh vetëm për Portin e Durrësit”.

E thotë Tomorri, por nuk shko më tej për të treguar arsyet se përse Berisha hesht në lidhje më këtë oligark të afërt të Edi Ramës i cili është shndërruar si “mamuth strategjik” me pronat e shqiptarëve, të cilat ja hedh në prehër qeveria aktuale, siç ja hidhte dikur edhe Sali Berisha.

Kreu i Rithemelimit ishte pak kohë më parë edhe në Bulqizë, ku ju foli pjesëmarrësve për pasuritë e kromit, që u kanë grabitur “oligarkët e Ramës”.

Por edhe këtu “harroi” njësoj si në Vlorë të përmendte emrin e koncesionerit. Bëri sikur “harroi” gjithashtu se Samir Manes, ja kishte dhënë pikërisht ai kromin e Bulqizës, vetëm pak muaj përpara se të ikte nga pushteti në vitin 2013. Më pas Edi Rama ja zgjati afatin e koncesionin deri në vitin 2040 dhe ky pasi e kishte vjelë mirë e mirë kromin e bulqizakëve pa paguar as rentën që duhej të shkonte për shkolla, spitale dhe rrugë, e shiti me çmim të majmë te turqit.

Hyri me duar në xhepa nga Berisha, bëri miliona të cilat i shumëfishoi me Ramën dhe në fund iku drejt një pasurie tjetër të shqiptarëve të “hedhur në prehër”, siç është aktualisht Porti i Vlorës.

Samir Mane njësoj si Shefqet Kastrati, Bashkim Ulaj dhe ca të tjerë, nuk përmenden me emër nga Sali Berisha dhe kjo e ka një arsye. Të gjithë oligarkët e Ramës janë edhe të Berishës jo vetëm si “miqësi” por edhe me aksione dhe marrëdhënie financiare. Mjafton të investigosh “lumin e parave” që kanë financuar aksionin anti “nongrata” dhe për të marrë Partinë Demokratike dhe kupton lidhjen e tyre.

Kjo është edhe arsyeja pse Samir Mane, oligarku i përbashkët i Ramës dhe Berishës, ishte i ftuar nderi në dasmën e Shkëlzen Berishës. Mund ta fshijnë foton nga Google duke shpenzuar ca para të tjera, por lidhja Berisha-Rama nëpërmjet tij dhe oligarkëve të tjerë ulërin nëpër mediet e tyre dhe kudo ku ka “investime strategjike”, leje ndërtimi, koncesione etj.

Shkrimi i plotë i Klodian Tomorrit

Vlora si Durrësi

Shkoi Berisha për fushatë në Vlorë dhe foli një orë për aferën e Portit të Durrësit. Por Vlora ka port vetë, i cili u vodh po me të njëjtën skemë si Porti i Durrësit. Identik.

Porti Tregtar u çmontua. Tokën në të cilën gjendej Porti Tregtar, 50 mijë metër katrorë, qeveria ia fali një kompanie private të quajtur Marina Vlorë, e zotëruar nga Brunes shpk për të ndërtuar aty një marine dhe po ashtu apartamente dhe hotele, njësoj si në Portin e Durrësit.

Ashtu si në Durrës, edhe në Vlorë, Porti Tregtar që u çmontua po ndërtohet në një vend tjetër me paratë e qytetarëve. Pra porti i mallrave ishte aty, por qeveria e çmontoi se i fali tokën kompanisë private dhe tani qytetarët, po paguajnë 60 milionë euro për të ndërtuar portin e ri të mallrave.

Projekti i resortit ne tokën e Portit të Vlorës ka marrë dhe status strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Fillimisht pronarë me letra te resortit ishin shoqërite “MARINA DI VALONA”, “BRUNES” SH.P.K “NDREGJONI” dhe “MARINA PROJECTS” L.T.D.

Këta e morën statusin e investitorit strategjik, por tani pronësia e projektit ka ndryshuar. Ndregjoni dhe Marina Projects u larguan menjëherë. Në projekt ka hyre kompania Balfin, e cila ka blerë 10 për qind të aksioneve.

Me pak fjalë, Portet u vodhën të tria. Si në Durrës, si në Vlore si në Sarandë. Për këtë Vlorën është folur më pak se është më i vogël si sipërfaqe. Por një fjalë mund ta thoshte Berisha. Se nuk shkon të jesh në Vlorë dhe të flasësh për Portin e Durrësit.

Latest articles

Related articles