Në emër të Partisë Demokratike dhe në emër personal përshëndes marrëveshjen e arritur sot në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në mënyrë të vecantë dua të përshëndes mbështetjen e BE përmes z.Borrell dhe z.Lajçak në realizimin e kësaj marrëveshjeje dhe sidomos angazhimin e jashtëzakonshëm dhe të vendosur të z.Escobar dhe SHBA në realizimin e një hapi të tillë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë.
Një meritë e vecantë i takon kryeministrit të Kosovës z.Albin Kurti dhe institucioneve të saj në qartësinë e qëndrueshmërinë, me të cilën drejtuan këtë proces. Kryeministri Albin Kurti meriton vlerësim, se edhe pse në sfida të vështira, mbajti timonin e Kosovës me besim dhe në krah të aleatëve strategjikë SHBA-BE.
Shpresojmë që mungesa e firmës mbi marrëveshjen e deklaruar mes palëve nga presidenti Serb Vucic të mos jetë pretekst i ri në refuzimin apo bllokimin e saj.
Marrëveshja ndihmon paqen e stabilitetin në rajon, e mban atë përcaktuar në rrugën e integrimit europian dhe vendos pengesa të qëndrueshme ndaj cdo përpjekjeje ruse për destabilitet e influencë në Ballkan.
Sot shqiptarët kanë një tjetër provë se për kombin tonë aleanca strategjike me ShBA dhe BE është jetike dhe në interesin tonë më të mirë kombëtar.