Policia ka zbuluar në Krujë një tunel të përshtatur me llamba, për kultivim të bimëve narkotike, ku brenda tij u gjetën 390 bimë kanabis.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Tuneli”, u arrestuan shtetasit Haki Selimi, Rexhep Halili dhe Arlind Selimi.
Po ashtu në pranga ranë punonjësit e OSHEE, Fushë Krujë, shtetasit Oltjan Farruku dhe Ervis Halili.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: Sokol Kullaj (përgjegjës grupi i OSHEE-së) dhe Erald Kullaj (elektriçist i zonës).
Në vijim të veprimeve hetimore u konstatua se tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës.
Gjatë kontrollit në tunel u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 390 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektike”, “Organizimi i lojërave të fatit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.