Çfarë është anëtarësia? – nga Indrit Vokshi

Anëtarësia e PD nuk është një turmë kuturu e cila mblidhet me britmë. Anëtarësia është një është trupë statutore dhe funksionon me normim juridik, si të gjitha organet dhe forumet statutore të partisë dhe të të gjitha partive europiane (PPE).

Organet dhe forumet apo trupat me normim juridik si anëtarësia, nuk janë përjetësisht të njejta e me të njejtët njerëz. Ato janë dinamike, rinovohen, zmadhohen e zvogëlohen sipas zhvillimeve.

PD nuk ka të njejtën kryesi që ka pasur në 1993, as të njejtën kryesi që ka pasur 2003, as të njejtën si në 2013. Kryesia si organ ka ndryshuar, është transformuar dhe rinovuar.

Edhe me trupën juridike të quajtur anëtarësi, vlen e njejta logjikë: nuk është anëtarësia e njejtë si në 1993, si në 2003, si sot në 2023.

Anëtarësia e PD e cila nuk u rebelua në 26 prill 2021 për humbjen e zgjedhjeve (që kishte arsye të rebelohej), u ngrit u rebelua pas 9 shtatorit 2021 për përjashtimin e Sali Berishës.

Por ajo e humbi betejën e saj. E humbi betejën politike sepse ndoqi rrugën qorre të Sali Berishës i cili në vend që të ndiqte hapa statutore siç statuti e kërkon, ndoqi hapa të dhunës dhe të imponimit. Organizoi kuvend dhe zgjedhje vetë sipas botëkuptimit të tij, pa bazë statutore. Prandaj Apeli e rrëzoi.

Është njëlloj si me zgjedhjet parlamentare. Që të ketë zgjedhje, duhet përmbushur kushti ligjor: dekreti i presidentit i cili vë në lëvizje KQZ-në. Edhe në PD që të kishte kuvend, duhej përmbushur kushti statutor; “dekretimi” i kuvendit nga Kryesia ose Këshilli Kombëtar dhe caktimi i komisionit të kuvendit nga kryetari i partisë (neni 43). Kushti nuk ishte depozitimi i letrave tek Edi Paloka.

Pra anëtarësia (ajo pjesë që u rebelua) nuk arriti ta ndryshojë lidershipin e partisë nëpërmjet rrugës statutore. Dështoi sepse ndoqi rrugën e dhunës dhe imponimit. Tani ata kanë ikur pas Sali Berishës, janë strehuar tek koalicioni Meta-Ndoka-Dule. Sepse nuk besojnë më tek PD.

Anëtarësia e PD është zvogëluar. Mirëpo ajo mund të pasurohet me njerëz të rinj të cilët besojnë tek politika e PD dhe kësisoji të formohet një trupë e re (anëtarësi e re). Sepse anëtarësia kështu rinovohet e transformohet kudo. Disa quajnë anëtarësi vetëm fansat e përjetëshëm të Sali Berishës. Nuk është ky përkufizimi mbi anëtarësinë.

Latest articles

Related articles