Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë si dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, do të udhëtojë në Shqipëri në datat 15-16 mars dhe në Maqedoninë e Veriut më 16-17 mars. Këto vizita do të jenë një mundësi e mirë për të shqyrtuar marrëdhëniet dypalëshe BE-Shqipëri dhe BE-Maqedonia e Veriut sipas Marrëveshjeve të tyre përkatëse të Stabilizim Asociimit dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit në të dy vendet dhe në Ballkanin Perëndimor. Është hera e parë që në Tiranë dhe Shkup zhvillohen Këshillat përkatës të Stabilizim-Asociimit.
Duke filluar me Shqipërinë më 15 mars, Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të takohet me kryeministrin Edi Rama përpara se të kryesojë Këshillin e 12-të të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Tiranë më 16 mars. Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Komisioni Evropian do të përfaqësohet nga Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Várhelyi. Pas Këshillit, Përfaqësuesi i Lartë Borrell, Kryeministri Rama dhe komisioneri Várhelyi do të mbajnë rreth orës 12:00 një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në EBS.
Pasdite, HR/VP Borrell do të marrë pjesë në përurimin e Kullës Veneciane në Durrës, restaurimi i së cilës është financuar nga BE-ja dhe do të zhvillojë një shkëmbim me përfaqësues të Rinisë.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të udhëtojë më pas në Maqedoninë e Veriut. Më 16 mars, ai do të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, përpara se të udhëheqë delegacionin e BE-së në Këshillin e 16-të të Stabilizim Asociimit BE-Maqedonia e Veriut të premten, 17 mars. Maqedonia e Veriut këtë herë do të kryesojë Këshillin dhe do të përfaqësohet nga kryeministri Kovaçevski. Komisioneri Várhelyi do të përfaqësojë Komisionin Evropian. Këshilli do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp rreth orës 11:30 që do të transmetohet drejtpërdrejt në EBS.
Gjatë vizitës së tij, HR/VP Borrell do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale, duke përfshirë presidentin Stevo Pendarovski, ministren e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska dhe kryeparlamentarin, nënkryetarët, koordinatorët e partive politike dhe kryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane – Komisioni për Çështjet evropiane të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Angazhimet e shtypit gjatë vizitave do të transmetohen në EBS, mbulimi audio-vizual i misionit do të jetë gjithashtu i disponueshëm në EBS, dhe vërejtjet e pikave të shtypit do të publikohen në faqen e internetit të EEAS.