Kryetari i degës së PD Durrës, Joni Myshketa, deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se ka vetëm një Parti Demokratike dhe oferta që kandidatët e primareve të garojnë me logon zyrtare është e sinqertë dhe jo hipokrite. Myshketa tha se nuk gjykon anëtarët demokratët por lidershipin, duke theksuar se mbledhja e firmave nga grupimi Berisha i duket e pakuptimtë. Myshketa e konsideroi kandidatin Igli Cara si pjesë të PD-së dhe të mbështetur nga anëtarësia, e si i tillë duhet të jetë kandidaturë e vetme për qytetin e Durrësit.
Unë mendoj që dalja me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit është detyrim i çdo demokrati. Gjykoj se është formula dhe mundësia më e mirë për të fituar bashkinë e Durrësit, që tashmë ka 22 vite që nuk fitohet nga demokratët. Thirrja është për qytetarët, për demokratët. Nuk është fjala për emra apo tërheqje. Thirrja s’duhet të merret si element dobësie. Në politikë duhet të jemi bashkëpunues. Nuk flitet për emra , Igli, X, apo Y. Flitet për marrjen kthesë të drejtimit të qytetit të Durrësit, që i shërben qytetit në përgjithësi. Igli Cara është kandidaturë e përzgjedhur nga anëtarësia e PD. Pjesën e grupimit tjetër e quaj një pjesë vitale përsëri të PD. Lidershipi të ngrihet përtej interesave personale, të dalë përtej egos së tij dhe të japë shembullin e mirë të bashkëpunimit dhe dhënies së një mesazhi që politika është bashkëpunuese dhe jo konfliktuale. Nuk besoj që PD si forca politike më e madhe, ka tagrin ligjor dhe detyrimin që të jetë përfaqësuesi dhe zëri i qytetarëve dhe alternativa më e mirë qeverisëse. Atë që vë re në procesin e KQZ për regjistrimin e PD, më duket më tepër një ngërç politik. Në aspektin ligjor s’ka asnjë pengesë pas vendimit të 3 marsit. Them me bindje se PD duhet të regjistrohet, do regjistrohet”.
Teksa komentoi lëvizjet e fundit të Berishës me mbledhjen e firmave, Myshketa u shpreh:
Nuk gjykoj anëtarët, por gjykoj lidershipin e PD. Ka histori 32-vjeçare duke pasur edhe arritjet e tij që s’mund t’ia mohoj askush. Por në momentin kur flasim pjesa e mbledhjes së firmave më duket e pakuptimtë, pasi kandidatura e prezantuar, Igli Cara, është pjesë e PD. PD është e hapur jo vetëm për anëtarët, që kanë një kontribut të vyer në vite, që s’duhet të hidhet poshtë. Është një PD. Oferta nuk është një ofertë hipokrite, por serioze, e sinqertë, në të mirë të demokratëve dhe qytetit”.
I pyetur a jeni të gatshëm të ulni pa kushte me Berishën për t’u regjistruar së bashku, ai përgjigjet:
Jam gati që të ulem në çdo moment për të gjetur një gjuhë bashkëpunimi me të gjithë demokratët. Është gjetur gjuha e bashkëpunimit mes forcave politike me filozofi të ndryshme, dhe më duket artific të mos gjendet gjuha e bashkëpunimit koherente brenda të njëjtës forcë”.