Pagjumësia e Sali Berishës vjen nga qytetarët e dedikuar në PD – REDAKSIONALE

Prej dy ditësh rrjetet sociale kanë gëluar nga dëshmia personale e shkrimtarit Rudi Erebara se i kishte ardhur një ofertë e sinqertë nga Partia Demokratike për të garuar në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 me logon e PD. Ndërsa qytetarët pa ndonjë bindje partiake të theksuar kanë shprehur simpatinë dhe mbështetjen për kandidaturën e mundshme të z. Erebara, lukunia e ndjekësve të Sali Berishës (pra ato që ai i quan shumica) janë vërsulur me çfarë të munden ndaj Rudi Erebarës dhe mundësisë të tij për të garuar për logon e PD.

Çfarë e ka shqetësuar kaq shumë Foltoren dhe surrogatët e Berishës aq sa për të sulmuar shkrimtarin, poetin dhe një nga dhjetoristët? Qytetaria! Sali Berishën e ka trembur dhe tmerruar gjithnjë qytetaria e atyre që ishin brenda Partisë Demokratike dhe që shprehnin një mendim politik. Fatkeqësisht, qytetaria nuk ka qenë një vlerë e renditur lart në piramidën e vlerave që imponoi Berisha në forcën më të madhe politike në opozitë. Përkundrazi, lidhjet farefisnore, shërbimet personale ndaj tij dhe familjes së tij prevalonin kundrejt organizimit politik dhe qytetarisë.

Një problem tjetër që hapet në këtë mes është se nëse një qytetar i angazhuar në shërbim të Tiranës, i pranishëm në protestat për ruajtjen e Teatrit, mbështetës i shumë veprimtarive të PD dhe jo vetëm, do të pranonte të merrte kandidaturën mbi shpatulla do të përkthehej në një avantazh të PD në raport me Foltoren dhe klithmat e saj. Kjo, jo sepse Erebara është një shqiptar i emigruar në Amerikë dhe ka një respekt thelbësor për atë vend, por ngaqë ai emëton gjithë dashurinë dhe respektin për qytetin që e ka parë të përçudnohet që pas viteve 1990.

Shtëpia e tij e dikurshme aty një rrugicë përbri kullës pallat ku Doktor Berisha nisi të banonte pak përpara vitit 2005 janë një dëshmi e thjeshtësisë së tij përpara pompozitetit fallco të Sali Berishës dhe klanit të tij tribal që tenton të zaptojë dhe dhunojë PD-në. Përpjekja e Rudit që nga dhoma e tij është intervistuar disa herë nga mediat e doktor Berishës është shumë herë më e guximshme (në sytë e qytetarëve) se sa ulërimat dhe klithmat e Doktorit nga podiumi i kuvendit.

Prej disa vitesh Erebara ka sjellë në shqip vepra të rëndësishme ku më kulminantja ndër përkthimet e tij mbetet romani i famshëm Moby Dick. Një lexues i devotshëm dhe i urtë do të kuptonte që kapiten Ahabi është mbase Sali Berisha që drejton anijen e tij drejt një rrugëtimi shkatërrimtar për të ndjekur fiksimin e tij me pushtetin dhe mbrojtjen nga e djeshmja. Sikundër janë dhe veprat e tij të regjimit totalitar ku sekretarët e partisë përshkruhen me aq cinizëm, gjakëftohtësi klinike aq sa dikujt mund t’i kujtojnë vetveten.

Për të gjitha këto, Doktor Berisha e di mjaft mirë që duhet të lëvizë çdo gurë për të njollosur Rudi Erebaran. Mund ta quajë nesër agjent të krimit, spiun të komunizmit, megaloman e kështu me radhë. Mund ta fyejë dhe poshtërojë pasi ai do të përpiqet që të qetësojë veten e tij nga makthet e përditshme që sheh për çmenduritë që ka kryer kur ka qenë në pushtet.

Nuk dihet nëse Rudi Erebara do të pranojë ofertën. Ajo çfarë mësuam është se pas SHBA një tjetër qytetar i devotshëm dhe atdhetar e shndërroi Berishën në një Zombie që rri zgjuar dhe mendon se si të përçmojë një shkrimtar dhe artist që guxoi të bëjë publike që i kishin propozuar emrin për kryetar bashkie. Po kaq! Pasi nuk dihet se çfarë mund të ndodhë nëse një ditë, Rudi do të pranonte. Mbase aty Doktori do të shfazohej më keq.

Latest articles

Related articles