Arrihet marrëveshja, Britania i jep Francës 480 milionë paund për ndalimin e emigrantëve

PARIS- Britania e Madhe do t’i paguajë Francës 480 milionë paund (577 milionë dollarë) gjatë tre viteve të ardhshme, si pjesë e një marrëveshjeje për të ndalur rrjedhën e emigrantëve të paligjhsëm që kalojnë Kanalin e La Manshit me gomone. Këto fonde do të ndihmojnë për financimin e patrullimeve të zgjeruara, përdorimin e dronëve dhe të një qendre paraburgimi.

Vendimi u mor në një takim të nivelit të lartë në Paris, ku kryeministri britanik Rishi Sunak udhëtoi bashkë me ministren Suella Braverman që të takonte Presidentin e Francës Emmanuel Macron. Si pjesë e marrëveshjes së re, Britania do të ndihmojë në financimin e një qendre paraburgimi në Francë, ndërsa Parisi do të vendosë më shumë personel francez dhe teknologji të përmirësuar për të patrulluar brigjet e saj.

“Është koha për një fillim të ri”, tha zoti Macron.

“Emmanueli dhe unë ndajmë të njëjtat bindje. Bandat kriminale nuk duhet të vendosin se kush do të vijë në vendin tonë. Brenda disa javësh nga ardhja ime në detyrë, ne ramë dakord për marrëveshjen më të madhe lidhur me varkat e vogla (të emigrantëve), dhe sot e kemi ngritur bashkëpunimin tonë në një nivel të paprecedentë për të trajtuar këtë sfidë të përbashkët,”- tha Sunak.

Prej ditësh bëhet thirrje nga Qeveria e Britanisë së Madhe e cila ka paralajmëruar grupet e trafikantëve që kalojnë emigrantë të paligjshëm përmes kanalit të La Manshit. Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak dhe Suella Braverman kanë paralajmëruar se do të fusin në fuqi projektligjin e ri që synon të lërë jashtë shqyrtimit të gjitha format e kërkesave për azil që janë bërë nga ata emigrantë që futen në vend përmes gomoneve.

Rishi Sunak dhe Braverman do të udhëtojnë për në Paris të premten për të folur rreth krizës së emigrantëve. Gjatë muajve të fundit, ai ka qenë në bisedime intensive me Sektorin e Brendshëm dhe një rreth të vogël, të besuar të brendshëm të ministrave dhe këshilltarëve për të përpiluar një plan. Në vitin 2022, më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla krahasuar me 28,000 një vit më parë. Mes tyre janë raportuar se kanë qenë 10 mijë shqiptarë.

Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi.

Gjuha e Braverman është krahasuar me atë të nazistëve. Një e mbijetuar e Holokaustit rrëfeu për Sky NeWs se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat ‘tufë’ dhe ‘pushtim’, i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve.

Latest articles

Related articles