Nga Av. Besart Logu
Dihet tashmë se PD është në një situatë të paprecedentë për shkak të konfliktit të thellë dhe të tejzgjatur. Kjo sepse ndarja është shtrirë deri në bazë dhe palët mbeten stoike në qëndrimet e tyre.
Duke qenë se ish kryetari i partisë dha dorëheqjen, para se të largohej kishte barrën e përgjegjësisë ku në bashkëpunim me drejtuesit e organeve qëndrore të gjente një zgjidhje në funksion të ruajtjes së një normaliteti minimal në drejtimin e partisë. Në kuadër të ushtrimit të kësaj përgjegjësie, janë marrë dy masa të përkohëshme që bëjnë rregullimin e drejtimit dhe përfaqësimit të PD në një situatë atipike në të cilën ndodhet. Konkretisht kemi: autorizimin dhe komandimin.
▪︎ Autorizimi. Çdokush me një kulturë minimaliste juridike e di se autorizimi është një dokument me anë të së cilit një person është i autorizuar të marrë vendime ose të veprojë në emër të një personi tjetër duke u sjellë si përfaqësues ligjor i një personi fizik apo juridik.
Duke patur parasysh këtë përcaktim, ish kryetari i partisë ka hartuar një Autorizim të Përgjithshëm ku delegon të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga ligji për shkak të mandatit që gëzon si kreu i Partisë Demokratike. Referuar këtij autorizimi, z.Alibeaj, z.Bardhi dhe z.Sefa janë përfaqësuesit ligjor të PD dhe kryetarit të saj për të hyrë në marrëdhënie me KQZ dhe për te ndjekur çdo procedurë administrative e gjyqësore në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në çdo palë zgjedhje, kur PD nuk ka qenë në një situatë të tillë, në këtë mënyrë është përfaqësuar në KQZ dhe Kolegj Zgjedhor. Pra me autorizim.
▪︎ Komandimi. Nëse do të kthehemi pas në kohë (pas zgjedhjeve në kuvendin e korrikut 2021), Partia Demokratike ka patur 4 nënkryetarë; z.Alibeaj, zj.Tabaku, zj.Duma dhe z.Gjekmarkaj. Rezultati i dobët në zgjedhjet vendore bëri që me 7 mars të dorëhiqet z.Gjekmarkaj dhe me 9 mars zj.Duma. Më tej, me 21 mars, dorëhiqet Lulzim Basha. Sipas statutit, kryetar i komanduar zgjidhet nënkryetari i partisë, ku në PD kishin ngelur dy, zj.Tabaku dhe z.Alibeaj. Sekretari i Përgjithshëm z.Bardhi zhvilloi mbledhje urgjente me të dy nënkryetarët ku zj.Tabaku hoqi dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë dhe automatikisht ky rol i mbeti Enkelejd Alibeajt.
Zgjedhja si kryetar i komanduar i ka ngarkuar z.Alibeaj përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e partisë deri në zgjedhjen e një kryetari të ri sipas parimit “një anëtar, një votë”. Dhe për këtë periudhë tranzitore, është z.Alibeaj ai që ushtron çdo të drejtë dhe përgjegjësi që buron nga ligji për drejtuesin e një partie politike.
Për të ardhur në rastin konkret; në kthimin e akteve për plotësim dokumentacioni, KQZ arsyeton se deklarata personale sipas parashikimeve të nenit 64 pika “e” e Kodit Zgjedhor duhet nënshkruar nga z.Basha dhe jo z.Alibeaj. Ky është një interpretim i gabuar i ligjit. Është e vërtetë se dispozita e mësipërme ngarkon kryetarin e partisë ta nënshkruaj por ky parashikim është bërë për rastet kur partia ka një funksionim normal dhe jo me kryetar të komanduar. Z.Basha nuk mund ta nënshkruaj atë deklaratë pasi nuk është kryetar i partisë sepse ka dhënë dorëheqjen. Edhe pse për arsye objektive nuk është bërë çregjistrimi i tij në gjykatë, ai në asnjë moment nuk e ka ushtruar funksionin e kryetarit. Pra, nuk është sjellur si i tillë sepse nuk ka patur aktivitet politik. Dhe për sa kohë kemi një nënkryetar në cilësinë e kryetarit të komanduar, është ai de jure dhe de facto drejtues i partisë. Çka do të thotë, se deklaratën sipas pikës “e” të nenit 64 të Kodit Zgjedhor duhet ta nënshkruaj z.Alibeaj.
Z.Celibashi e lexon ligjin në mënyrë të ngurtë, duke kërkuar nënshkrimin e deklaratës vetëm nga kryetari që rezulton në vërtetimin e nxjerrë nga gjykata. Po në rastet kur mandati i kryetarit përfundon në mënyrë të menjëhershme (kur dënohet me burgim me vendim të formës së prerë apo kur vdes) kush do ta nënshkruaj deklaratën?! Do penalizojë partinë pa hyrë në zgjedhje pse kryetari sipas vërtetimit të gjykatës nuk korespondon me nënshkruesin?! Konflikti në PD ka nxjerrë nevojën imediate të ndërhyrjes në Kodin Zgjedhor e sidomos në ligjin për partitë politike. Gjendur në kushtet e mungesës së një baze ligjore, KQZ duhet të shfaqë vullnetin për të krijuar kushte të favorshme dhe jo ndaluese e penalizuese për subjektet zgjedhore. Për më tepër kur bëhet fjalë për partinë më të madhe të kampit opozitar.
Nisur nga sa parashtrova më lart, del qartë se delegimi i kompetencave për drejtimin e partisë është zgjidhur nëpërmjet komandimit ndërsa përfaqësimi ligjor me palë të treta nëpërmjet autorizimit. Partia Demokratike nuk ka asnjë ngërç në aspektin formal, pra në përfaqësimin në PF, përveç faktit se në regjistrin e partive politike Lulzim Basha figuron akoma si kryetar i PD edhe pse ka dhënë dorëheqjen. Duke qenë se ky rregullim procedurial është pamundësuar për shkak të proceseve gjyqësore, PD gjendet në një situatë atipike, gjë e cila është një fakt i njohur botërisht. Kështu që, KQZ duhet të rikthehet në lartësinë që i jep ligji duke shmangur përceptimet personale si dhe duke qëndruar larg interesave të partive politike apo segmenteve brënda tyre.
KQZ nuk mund ta bëjë dhe nuk do të arrijë ta pengojë PD të hyjë në zgjedhje.