Tiu tregoj diçka për vulën
Një natë para 8 janarit 2022 kur po sulmohej Selia, erdhi për vizitë në Seli zv.ambasadori amerikan. Ai me shoqëruesit e tij e mbështollën Vulën e PD, e futën në një arkë hekuri dhe e morën me vete. Vula u çua në Washington.
Atje është një dhomë pa dritare, midis dhomës është një tavolinë, e përmbi tavolinë është një kuti prej xhami, xham i blinduar. Brenda kësaj kutisë prej xhami u fut Vula. Qëndronte aty e rrethuar nga një shirit blu në formë aureole.
Më telefononin e më pyesnin çfarë po bëhet me Vulën? U thoja se vulën e ka marrë Washingtoni. Nuk dinin si të reagonin sepse nuk e kuptonin a po tallem apo e kam vërtet. Kohët e fundit nisën të shqetësoheshin, më thonin se kanë info që Sali Berisha ka blerë Gjykatën e Apelit dhe Vula do t’i jepet atij. Përgjigjja ime ishte se, meqenëse ka deklaruar se është si Steve Jobs, mund të blejë gjykatën e Apple, jo të Apelit.
Vula është në duar të sigurta, nuk është fare në Shqipëri. Po ku, si të sigurta, si nuk është në Shqipëri?! – pyesnin plot shqetësim. E ka Washingtoni. A ndiqni politikë ju? A e dëgjuar ambasadoren kur deklaroi në Real Story tek Sokol Balla se PD-në e ka themeluar Amerika? Njëlloj siç PS-në e themeluan jugosllavët dhe sovjetikët, PD e themeluan amerikanët. Qartë-qartë Amerika po iu thoshte se PD, Sali Berishës, ia kemi dhënë me qera.
Vula është në Washington sepse rendi politik ndërkombëtar aktual është i tillë që partitë kanë një çengel ku e lidhin fort zinxhirin – disa në Moskë, disa në Washington, disa në Pekin, disa në Paris. E përmendi zonja, ne e kemi sjellë PD-në dy herë në pushtet. Çfarë mesazhi është ky?
Sali Berisha preferonte një parti pa çengel amerikan, pa asnjë mundësi për pushtet, vetëm ta kishte pronësinë që ta trashëgonte tek tarafi i vet dhe ta mbante faktor të brendshëm që do bllokonte opozitarizmin dhe në emër të opozitarizmit të negocionte bizneset me pushtetin.
Ndërsa USA kërkon një model të caktuar politik standard. Prandaj me satirë, pa satirë, me gjysëm satirë, Vula ishte në Washington.
Nga Indrit Vokshi