Babë e bir janë arrestuar në Shkodër, pasi në shtëpinë e tyre iu gjetën 5.6 kg lëndë të dyshuar si kanabis.
Policia bën me dije në pranga kanë rënë shtetasi me iniciale P.A., 62 vjeç dhe D.A., 33 vjeç.
“Gjatë operacionit policor “Bleran” u arrestuan në flagrancë shtetasit P. A., 62 vjeç dhe D. A., 33 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bardhaj, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre janë gjetur rreth 5.6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në qytetin e Shkodrës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të aktiviteteve kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.