Nga Zef Ndreka
Në Shqipëri tashmë numërohen rreth 10-oligarkë që e kanë bllokuar ekonominë e saj. Me ndihmën e politikës, kanë prishur tërësisht rregullat e tregut duke “menaxhuar” gjithë lekët e buxhetit të vëndit.
Përveç oligarkëve të ekonomisë, në Shqipëri kemi edhe tre oligarkë politikë, konkretisht Berishën, Metën dhe Ramën, të cilët përveç kontrollit të politikës 32-vjeçare kanë pasuri më shumë se oligarkët e ekonomisë.
Me varfërimin e shqiptarëve dhe prishjen e rregullave të ekonomisë së tregut të kontrolluara nga këto oligarkë politik, oligarkisë politike vetvetiu po i vjen fundi. Po ju bie kurba drejt zeros ose drejt zhdukjes.
Partitë kryesore politike në Shqipëri kanë krijuar sejcila nga një oligark.
PD-ja krijoi Sali Berishën, PL-ja krijoi Ilir Metaj dhe PS-ja krijoi Edvin Ramën.
Ndërsa për t’u mbrojtur,të tre sëbashku krijuan trëkëndëshin oligarkik Berisha-Meta-Rama!
Sot, të krijohet përshtypja se beteja elektorale do të zhvillohet ndërmjet këtyre oligarkëve.
E marrim për një çast të vërtetë:
Po çfarë mund të presësh nga partitë e oligarkëve më tej?!
U provua dhe kjo taktikë hajdutësh prej 32-vitësh!
Kjo treshe, që ka mbajtur peng ekonominë, politikën dhe vëndin, e ka prishur edhe tregun politik. Ky treg nuk është i lirë që të seleksionojë partitë konkurruese në bazë të votës që jep elektorati. E vërteta është se jemi në këto kushte, në këtë realitet.
Tre partitë politike të Berishës, Metës dhe Ramës janë kthyer në shpk. Mediat e kapura dhe mediat e tyre japin vetëm tre alternativa dhe çorodisin opinionin publik në këtë treg politik, sikur asgje tjetër nuk ekziston. Edhe kur ka ndonjë alternativë që dëshiron të lëvizë, janë pikërisht këta që bëhen pengesë për ti lejuar të luajnë.
Sot, dyshja Berisha-Meta me të gjitha mjetet përpiqen të bëhen barrikadë të ndryshimit. Ata janë dy nga oligarkët politik të cilët praktikisht janë në rënie. Me gjithë përpjekjet dhe mbështetësit e gënjyer prej tyre, do të shkojnë drejt asgjësimit të sigurt. Deri më sot ato i mbajnë mediat që posedojnë dhe paratë e shumta që kanë ndarë me oligarkët e ekonomisë. Shikojmë se dy të tretat e mediave vizive dhe të shkruara janë të tyre dhe punojnë vetëm për to. Nuk është më sekret. Qytetarët tashmë e dijnë dhe e shikojnë. Ndaj faktori Berisha-Metaj nuk duhen marrë më në konsideratë.
Sot, grupi i strukturuar me të ardhme politike është grupi i PD-së zyrtare. Ky grupim po ngrihet dhe duhet të ngrihet fuqishëm sepse është nevojë e këtij populli dhe imperativ i kohës. Fryma opozitare është gjallë në popull. Kjo frymë do të nxjerrë edhe elitën e ardhshme drejtuese të vëndit. Kjo frymë ndryshimi ka filluar të konsolidohet, pasi e dëgjojmë dhe e ndjejmë të gjithë në çdo ambient ku ndodhemi. Sot më shumë se kurrë është koha të shpërthejë kjo frymë ndryshimi. Sepse situata në Shqipëri është bërë tmerrësisht serioze për ndryshim. Oligarkët politikë e kanë penguar deri më sot këtë frymë opozitare të veprojë.
Është koha të përkrahet PD-ja, pa Sali Berishën, këtë jo vetëm vulë-humbur që për opozitën dhe popullin shqiptar opozitar nuk ekziston më.
Sepse autokracia e tij ishte ajo që e shkatërroi PD-në.
Deri dje, ishte e vështirë të krijoje frymë nën tutelën e Berishës, njëlloj siç mungon fryma e ndryshimit tek PS-ja, ashtu siç mungonte fryma tek koha e Enver Hoxhës.
Tani është detyrë e PD-së ti dali zot frymës opozitare popullore, për një ndryshim kursi politik dhe ekonomik të Shqipërisë.
Historia 32-vjeçare e ka vërtetuar se me oligarkët që kanë dominuar politikën shqiptare mbetemi pas…